Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme që ka arritur të rris komunat e fituara në zgjedhjet lokale krahasuar me ato të kaluara.
Pos që e ka ruajtur pushtetin në katër komuna ku ka qenë duke qeverisur, ka arritur të fitojë edhe në tri komuna të reja – Mitrovicë e Jugut, Fushë Kosovë e Kastriot.
Po në balotazh, VV-ja e rikonfirmoi edhe qeverisjen për katër vjet të tjera në Gjilan.
Ndërsa, në rundin e parë kishte ri-konfirmuar pushtetin në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.
Prej komunave, nga balotazhi partia e Albin Kurtit dy arriti t’i fitoi në garë me LDK-në e një me PDK-në.
“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve”, ka deklaruar Albin Kurti- kreu i LVV-së.
Kështu, partia e Lumir Abdixhikut nga 9 komuna sa ka qenë duke i qeverisur, i ka humbur 2 dhe pushtetin e mban në 7, përfshirë kryeqytetin Prishtinën, Pejën, Vitinë, Sharrin e Junikun.
“Pas rezultatit të fundit nacional, ky rezultat i djeshëm është sinjal i një force që qëndron, rritet e forcohet. Fitoret e komunat nuk na qëndrojnë të garantuara; ato fitohen apo humben nga fillimi në secilën garë”, ka deklaruar Lumri Abdixhiku, kreu i LDK.
Në një komunë më pak se LDK-ja e LV-ja do të qeverisë Partia Demokratike, që në rundin e dytë fitoi në Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik – komuna ku veçse ishte në pushtet.
PDK-ja kishte rikonfirmuar pushtetin në Ferizaj, Skenderaj dhe Han të Elezit, pa balotazh.
Ndërsa kishte humbur Drenasin, në garën ndaj ish-anëtarit të saj Ramiz Lladrovci.
“Disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta. Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë”, ka deklaruar Memli Krasniqi – kreu i PDK.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në balotazh siguroi vazhdimin e qeverisjes për katër vjet në Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec.
Kjo parti do të ketë pushtet në gjithsej pesë komuna, përfshirë Deçanin – ku kishte fituar qysh në rundin e parë.
“Dita e djeshme konfirmoi fuqinë politike dhe stabilitetin e Aleancës. Kemi triumfuar në 5 komunat ku kemi qeverisur, ndërsa do të jemi në bashkëqeverisje në mbi 10 komuna”, ka deklaruar Ramush Haradinaj – kreu i AAK.
Pas garës, një person në gjithë Kosovën deri tani mori përgjegjësinë për humbje – Xhafer Gashi i LDK-së, që dha dorëheqje nga strukturat e kësaj partie, si pasojë e rezultatit.
Ndërkohë, nga komunitetet, në rundin e dytë, pas marrëveshjes me kundër-kandidatin, Lista Serbe fitoi Kllokotin. Ndërsa, pa balotazh kishte fituar në nëntë komunat tjera me shumicë serbe.
E Partisë Demokratike Turke të Kosovës iu desh rundi i dytë për të siguruar vazhdimin e pushtetit në Mamushë.