Pranë binarëve të stacionit hekurudhor të Kopenhagenit, në zemër të kryeqytetit danez, qëndron një ndërtesë me tulla të kuqe, me një fasadë të stolisur dhe një kupolë të veshur me bakër që me kalimin e kohës ka marrë ngjyrë jeshile.
Kur u hap në vitin 1912 si Ndërtesa Qendrore e Postës, madhështia e saj pasqyronte lulëzimin e shërbimeve postare dhe telegrafike që përshkonin Danimarkën, duke lidhur qytetarët mes vete. Më shumë se një shekull më vonë, kjo ndërtesë – tashmë hotel luksoz – mbikëqyr një qytet dhe një vend ku shërbimi postar nuk dorëzon më letra, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Shërbimi shtetëror postar i Danimarkës, PostNord, do të dorëzojë letrën e tij të fundit të martën, duke i dhënë fund një historie 400-vjeçare për shkak të epokës digjitale. Me këtë vendim, Danimarka bëhet shteti i parë në botë që konstaton se posta fizike nuk është më as thelbësore dhe as ekonomikisht e qëndrueshme.
Rënia e shpejtë e një shërbimi kombëtar postar është një histori e njohur edhe në vende të tjera të botës perëndimore, teksa mbështetemi gjithnjë e më shumë në komunikimin digjital.
Në vitin 2024, posta daneze dorëzoi mbi 90% më pak letra krahasuar me vitin 2000. Ndërkohë, Shërbimi Postar i SHBA-ve dorëzoi rreth 50% më pak postë në vitin 2024 krahasuar me vitin 2006.
Teksa korrespondenca jonë është zhvendosur kryesisht online – duke u shndërruar në mesazhe në WhatsApp, video-thirrje apo thjesht shkëmbim memesh – edhe mënyra jonë e komunikimit dhe gjuha kanë ndryshuar.
Vetë letrat “do të ndryshojnë status”, duke u bërë më shumë bartëse të mesazheve intime sesa homologët e tyre digjitalë, thotë Dirk van Miert, profesor në Institutin Huygens në Holandë, i specializuar në rrjetet e dijes në periudhën moderne të hershme.
Rrjetet e dijes që për shekuj janë ndërtuar përmes letrave “po zgjerohen edhe më shumë” në formën e tyre online, duke përshpejtuar qasjen në dije, por edhe përhapjen e dezinformatave, tha ai për CNN.
Pa kuti postare
Që nga qershori, PostNord ka nisur heqjen e 1.500 kutive postare të shpërndara në të gjithë Danimarkën. Kur ato u shitën për bamirësi më 10 dhjetor, qindra mijëra danezë tentuan të blinin nga një. Çmimi për secilën kuti ishte 2.000 ose 1.500 korona daneze (rreth 315 ose 236 dollarë), varësisht nga gjendja e tyre.
Në vend të dërgimit të letrave me postë tradicionale, danezët tani do t’i dorëzojnë ato në kioska brenda dyqaneve, prej nga do të transportohen nga kompania private DAO, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. PostNord do të vazhdojë megjithatë shpërndarjen e pakove, pasi blerjet online mbeten shumë të përhapura.
Danimarka është një nga vendet më digjitale në botë; madje edhe sektori publik përdor disa platforma online, duke minimizuar korrespondencën fizike shtetërore dhe duke e bërë shumë më pak të varur nga shërbimet postare krahasuar me shumë vende të tjera.
“Pothuajse çdo danez është plotësisht digjital, që do të thotë se letrat fizike nuk e kanë më të njëjtin funksion si më parë,” tha për CNN Andreas Brethvad, zëdhënës i PostNord. “Sot, shumica e komunikimit vjen në kutitë tona elektronike dhe realiteti është se tregtia elektronike dhe dërgesat e pakove e tejkalojnë dukshëm postën tradicionale.”
Kjo shpjegon pse Danimarka është e para që ndërmerr një hap të tillë, megjithëse pritet që edhe vende të tjera ta ndjekin këtë shembull. Van Miert, i cili jeton në Holandë, tha se edhe ai tashmë duhet të shkojë në dyqan për të dërguar letra, pasi në qytetin e tij nuk ka më kuti postare.
Megjithatë, nevoja për korrespondencë fizike vazhdon të ekzistojë në mbarë botën, edhe pse e zvogëluar. Sipas Unionit Postar Universal të OKB-së, rreth 2.6 miliardë njerëz ende nuk kanë qasje në internet, ndërsa shumë të tjerë “mungesë lidhjeje kuptimplote”, për shkak të pajisjeve të pamjaftueshme, mbulimit të dobët dhe aftësive të kufizuara digjitale. Komunitetet rurale, gratë dhe personat që jetojnë në varfëri janë ndër më të prekurit.
Digital age brings Denmark’s postal service to a historic end
