EULEX-i nuk vëren “ndryshime në terren” lidhur me dyshimet për riinstalimin e policisë serbe në veri

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), tha se nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim në veri, sa u përket dyshimeve se Serbia po rihap zyrat e saj të Ministrisë së Punëve të Brendshme në katër komunat në veri

Një veturë e EULEX-it duke kaluar pranë selisë së këtij misioni të BE-së në Prishtinë. Fotografi ilustruese. Foto: REL

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), tha se nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim në veri, sa u përket dyshimeve se Serbia po rihap zyrat e saj të Ministrisë së Punëve të Brendshme në katër komunat në veri.

“Gjatë patrullimeve tona të rregullta, nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në terren”, thanë nga EULEX-i në një përgjigje të shkurtër dërguar Radios Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë siguroi disa të dhëna të një institucioni të sigurisë në Kosovë, ku thuhej se Serbia po tenton të rihapë zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të saj në katër komunat në veri të shtetit, të banuara me shumicë serbe.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë këtë informacion në terren e as nga institucionet serbe.

Sipas këtyre të dhënave, në katër komunat e veriut të Kosovës, që nga 11 maji i këtij viti, janë vendosur zyrat e MPB-së së Serbisë, të cilat kanë qenë funksionale deri në vitin 2013. Selia kryesore e MPB-së serbe, sipas informacioneve të këtij institucioni të sigurisë së Kosovës, do të jetë në Zveçan, afër shkollës fillore “Vuk Karaxhiq”.

Serbia ka pasur strukturat e saj të sigurisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq deri në vitin 2013. Por, pas marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit, ato u integruan në institucionet e Kosovës, kryesisht në Policinë e Kosovës.

Mirëpo, pothuajse të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që qarkullojnë në veri me tabela që i lëshon Serbia.

Serbia e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata me paga të njëjta, siç i kishin marrë nga institucionet e Kosovës.

Të dhënat e siguruara nga REL-i tregojnë se të njëjtat zyra do të hapen edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok, po ashtu, edhe në objektet e përdorura më parë nga MPB-ja e Serbisë.

Gjithashtu, prezenca e MPB-së së Serbisë është planifikuar edhe në Rudarë afër Zveçanit.

As Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, as Qeveria e Kosovës, nuk kanë komentuar për këto pretendime. Përgjigje për REL-in nuk ka kthyer as Agjencia e Informacionit të Serbisë (BIA) dhe Ministria e Brendshme serbe.

Ndryshe, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe autoritetet serbe, kanë thënë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga katër komunat në veri. /REL

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika