Eurodeputetët që Vuçiqi dhe Brnabiqi i quajtën “fundrrina” e lëshuan Serbinë

Një delegacion i lartë i Partisë Evropiane të Gjelbërve (EGP), i cili qëndroi në Serbi me ftesë të Frontit të Gjelbër-majtë, u largua këtë mëngjes nga Serbia pas fyerjeve të hapura dhe kërcënimeve ndaj sigurisë që erdhën nga vetë kreu i shtetit. Në delegacion ishin Rasmus Nordqvist nga Danimarka dhe Vula Tsetsi nga Greqia.

“Jemi mirënjohës ndaj Partisë Evropiane të Gjelbërve, bashkëkryetares Vula Tsetsi dhe eurodeputetit Rasmus Nordqvist, të cilët dje qëndruan me qytetarët në Novi Sad dhe ndanë fatin e të gjithë neve që prej muajsh jemi nën sulmin e regjimit. Partia Evropiane e Gjelbërve tregoi solidaritet me qytetarët e Serbisë dhe dha mesazhin e qartë se Evropa nuk duhet të heshtë ndërkohë që në Serbi po zbatohet represioni ndaj qytetarëve dhe po shkatërrohet shoqëria demokratike”, u shpreh Fronti i Gjelbër-majtë.

“Presidenti i Serbisë sulmoi të Gjelbrit evropianë në mënyrë shumë agresive, me gënjeshtra dhe fyerje. Deklaratat e tij janë të papranueshme dhe kërkojnë përgjigje të fortë. Ai fyeu një parti politike evropiane, na kërcënoi dhe na frikësoi në nivel personal dhe, në fund, por jo më pak e rëndësishme – gënjeu hapur”, tha Vula Tsetsi, bashkëkryetare e Partisë Evropiane të Gjelbërve.

EGP do t’i drejtohet Komisionit Evropian, duke kërkuar ndryshimin e qëndrimit të BE-së ndaj regjimit autokratik në Serbi. Gjithashtu, javën e ardhshme në Parlamentin Evropian do të mbahet një debat plenar për Serbinë, ku janë ftuar përfaqësuesit e Frontit të Gjelbër-majtë dhe partive të tjera opozitare nga Serbia.

Vuçiç: Ka ardhur “ološi” më i madh

Kujtojmë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dje fyeu deputetët e Parlamentit Evropian që morën pjesë në protestë në Novi Sad dhe mbështetën studentët. Në konferencë për shtyp tha se Serbia është shtet i fortë, serioz dhe përgjegjës.

“Jam mirënjohës përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, nga nuk e di se cila parti, ca ološ janë mbledhur aty, që na treguan se ku e kanë vendin dhe si duhet të luftojmë kundër tyre. Jam i lumtur për këtë, do të luftojmë për lirinë e popullit dhe shtetit tonë sepse nuk kemi asgjë më të rëndësishme se kjo. Dhe ata që erdhën nga jashtë për të rrëzuar Serbinë, duhet ta dinë se do t’u kundërvihemi më shumë se kurrë. Gjithmonë kanë qenë më të mençur dhe më të fortë se ne, jo pse janë, por pse pas tyre kanë pasur një forcë më të madhe. Më 15 shtator do të mund të shihni fuqinë e tokës serbe dhe, nëse na sulmojnë, për herë të parë në histori do të jemi më të fortë se ata”, tha Vuçiç, duke iu referuar paradës ushtarake të shpallur për atë datë.

Më tej vazhdoi në të njëjtin ton, duke i quajtur me ngulm eurodeputetët “ološ”. “Ološi më i keq evropian që erdhi sonte në Novi Sad të mbështesë këtë dhunë. Duhet vetëm t’u them se procesi do të zhvillohet sipas ligjeve të Republikës së Serbisë. Dhe asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiç.

Në protestën e Novi Sad mori pjesë delegacioni i të Gjelbërve Evropianë. Ata erdhën me ftesë të Frontit të Gjelbër-majtë dhe planifikonin të merrnin pjesë edhe në Paradën e Krenarisë. Në delegacion ishin Rasmus Nordqvist nga Danimarka dhe Vula Tsetsi nga Greqia.

Vuçiq me deklaratë skandaloze: Fundërrinat evropiane kanë ardhur për të rrënuar Serbinë, do të ndiqen penalisht

Edhe Brnabiq sulmoi eurodeputetët

Diçka të ngjashme bëri më herët edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq. Ajo në rrjetet sociale shkroi se është hipokrizi që eurodeputetët t’u bashkohen “mbledhjeve të dhunshme dhe ilegale” në Serbi, ndërkohë që në vendet e tyre theksojnë rëndësinë e sundimit të ligjit dhe demokracisë.

“Veçanërisht hipokrite është që eurodeputeti Rasmus Nordqvist nga Danimarka dhe Vula Tsetsi nga Greqia, bashkëkryetare e të Gjelbërve Evropianë, janë sonte në Novi Sad në protesta të dhunshme.

Këta janë njerëzit që çdo ditë na mbajnë leksione për sundimin e ligjit dhe demokracinë – dhe ja ku janë, marrin pjesë në një tubim të paregjistruar, ilegal, që në vendet e tyre nuk do të ishte i lejuar. Ata jo vetëm e mbështesin, por edhe marrin pjesë në mbledhje ilegale në Serbi! Flasin për sundimin e ligjit ndërsa promovojnë anarki”, tha anëtarja e SNS dhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë.

“Do të jetë veçanërisht interesante të shohim nëse do ta njoftojnë Brukselin për dhunën e bllokadave që po përjeton sonte e gjithë Serbia. A janë këto “protestat paqësore” për të cilat flasin dhe që mbështesin? Sulme ndaj Fakultetit Filozofik, djegie institucionesh, sulme ndaj policisë? A do ta raportojnë këtë në Bruksel?”, shkroi ajo.

“Të raportosh për “protesta paqësore” ku marrin pjesë njerëz me maska, helmeta, shkopinj, fishekzjarre, gurë? Gjithçka që është e ndaluar në vendet e tyre – pikërisht për shkak të sundimit të ligjit – ndërsa këtu është e lejuar, sa kohë që synimi është rrëzimi i një Serbie të pavarur, të lirë dhe stabile. Boll me gënjeshtra – e vërteta është e qartë”, shkroi Brnabiq.

Kush janë politikanët që sulmojnë Vuçiç dhe Brnabiq?

Rasmus Nordqvist është politikan danez dhe eurodeputet nga radhët e së Majtës së Gjelbër (Socialistisk Folkeparti). Para se të zgjidhej në vitin 2024 në Parlamentin Evropian, ai ishte deputet në parlamentin danez Folketing nga 2015 deri më 2022. Në punën e tij fokusohet në çështje të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe drejtësisë sociale, si dhe është aktiv në Partinë Evropiane të Gjelbërve.

Vula Tsetsi është politikane greke dhe bashkëkryetare e Partisë Evropiane të Gjelbërve, në këtë detyrë që nga dhjetori 2024. Me profesion urbaniste dhe planifikuese rajonale, Tsetsi ka përvojë shumëvjeçare në politikën evropiane – për gati dy dekada ka qenë sekretare e përgjithshme e grupit parlamentar të të Gjelbërve/EFA në Parlamentin Evropian, ku ka punuar për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë politike të të Gjelbërve në institucionet e BE-së./Indexhr

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika