“Fadil Vokrri”, stadiumi i askujt

Për gjendjen e mjerueshme të fushës në stadiumin "Fadil Vokrri" në Kosovë, ka nisur një polemikë midis Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Komunës së Prishtinës, lidhur me përgjegjësinë për mirëmbajtjen e stadiumit. E nga institucionet kompetente është kërkuar një reagim i menjëhershëm dhe përmirësim i gjendjes së stadiumit "Fadil Vokrri". Nëse nuk ka ndryshim, ka shqetësim se stadiumi mund të pësojë fatin e stadiumit "Adem Jashari"

“Stallë derrash”, e cilësoi lojtari më i njohur izraelit, Eran Zahevi, fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, pas lojës me Kosovën të dielën e 12 nëntorit.

Ky deklarim i tij e fusha e mjerueshme nxiti reagime të shumta në opinionin publik, e mbi të gjitha ngriti dilemën se kush duhet të jetë përgjegjës për stadiumin që mban emrin e legjendës Fadil Vokrri.

Në lojë për mirëmbajtjen e “Fadil Vokrrit” ishin Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Komuna e Prishtinës, kështu Dukagjini dërgoi pyetje në adresat e të dyjave. E, FFK-ja e Komuna e Prishtinës u përgjigjen me njoftime publike.

FFK-ja e udhëheqësia e Prishtinës ashtu si në futboll ia “gjuajtën topin” njëra-tjetrës, në lidhje me përgjegjësinë e mirëmbajtjes së fushës “Fadil Vokrri”.

Ndeshja Kosovë – Izrael, 12 nëntor

Përmes një postimi në Facebook, Komuna e Prishtinës reagoi duke thënë se mirëmbajtja e stadiumit nuk është përgjegjësi e tyre, por obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në njoftim, duke e bazuar këtë në nenin Memorandumin e Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës me datën 30 dhjetor 2022″, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nuk vonoi shumë as reagimi i FFK-së, që refuzoi se ka marrë barrën për gjendjen e fushës.

“Shumëkush nuk ngurroi që shigjetat për gjendjen e fushës t’i hedhë në një drejtim. Por, është e rëndësishme të theksohet se ky stadium nuk është pronë e FFK-së dhe kjo ka sjellë sfida të mëdha financiare për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tij”, thuhej fillimisht në komunikatën e FFK-së.

FFK-ja deklaroi se stadiumin e kanë marrë nën menaxhim në kushte të mjerueshme, duke thënë se komuna nuk i ka paguar punëtorët të cilët janë të angazhuar për mirëmbajtjen e terrenit.

“FFK e ka marrë nën menaxhim stadiumin në kushte të mjerueshme, atëherë kur askush as nga institucionet e as nga organizatat sportive nuk ka pasur as vullnet e as gatishmëri për të marrë nën menaxhim këtë impiant sportiv. Jemi të vetëdijshëm se në situata të tilla më e lehta është hedhja e fajit tek tjetri, por nuk duhet harruar faktin se në çfarë gjendje është marrë stadiumi”, thuhej në reagimin e tyre.

Ndeshja Kosovë – Izrael, 12 nëntor

Për këtë Dukagjini ka biseduar me ish-futbollistin dhe ish-drejtorin sportiv të Drenicës, Taulant Dajaku, i cili kritikon FFK-në për paaftësi.

Dajaku ka theksuar se kjo paaftësi e FFK-së dëmton imazhin e Kosovës dhe mu për këtë duhet të ngrihet pyetja nga komuniteti i sportit se “a ka më keq sa kaq”.

“Mendoj se ajo që po ndodh tashmë është shpërfaqje e paaftësisë se federatës që merr përsipër menaxhimin e stadiumit, dhe e vërtetoj me deklaratën e fundit se s’ka pasur aftësi as një diçka minimale si kjo ta menaxhojë në formën e duhur, dhe ky tregues është dëshpërues për faktin se kur kaq pak nuk arrihet të menaxhohet, paramendoje se si janë gjërat tjera gjë që e vërteton krejt këtë situatë të krijuar në futbollin tonë, sigurisht tendenca për të lërë fajtor këdo tjetër për paaftësinë e tyre qe na nxori në opinionin publik botëror duke u bërë ‘meme’ për atë fushë sportive në vitin 2023 dëmton imazhin tonë si shtet, por edhe ngrit pyetjen tonë shoqërore që duhet të bëjmë secili nga ne, media komunitet sportiv edhe publik se a ka më keq se kaq, ose edhe çka më keq duhet të ndodhë që të reflektojmë për të punuar shumë që të qojmë Kosovën në atë nivel që e meriton”, ka thënë Dajaku për Dukagjinin.

Ndeshja Kosovë – Izrael, 12 nëntor

Nëse nuk ka një reagim dinjitoz për gjendjen e krijuar, sipas Dajakut, stadiumin “Fadil Vokrri” mund ta presë fati i stadiumit “Adem Jashari”.

“Mendoj është e qartë se rrezikojmë shumë në çdo aspekt, nëse s’do ketë një reagim dinjitoz për të gjetur formën e duhur të menaxhuar këtë aset të rëndësishëm të futbollit tonë, siç është stadiumi “Fadil Vokrri”, ka theksuar Dajaku.

Ish-drejtori sportiv i skuadrës së Drenicës njëherësh ish-futbollisti i Kosovës, Taulant Dajaku.

Perspektiva sociologjike, ndikimi te lojtarët

Për fushën e mjerueshme të “Fadil Vokrri”-t Dukagjini ka biseduar edhe me sociologë, se sa ndikim mund të ketë mosmirëmbajtja e fushës te lojtarët dhe te tifozët.

Sociologu, Jeton Brajshori, në një bisedë me Dukagjinin, tregon se kjo fushë tregon një gjendje anemike dhe të krijon një ndjenjë depresioni.

“Gjendja e mjerueshme e fushës ndikon mjaft edhe tek lojtarët, por edhe tek shikuesit, sepse tregon një gjendje anemike e cila ta jepë një ndjenjë depresioni, duke mos i marrë fare seriozisht kushtet e parapara për lojë. Në një fushë të tillë lojtarët rrezikojnë lëndime të ndryshme, ndërsa për tifozë është lojë monotone. Thjesht ajo lojë është luajtur vetëm, sepse duhet dhe të gjithë të pranishmit si në fushë dhe jashtë saj mezi prisnin të përfundojë duke i lënë emocionet dhe rezultatin në plan të dytë!”, ka thënë për Dukagjinin Brajshori.

Jeton Brajshori, sociolog

E për socilogun tjetër, Albert Mecinin, gjendja e fushës, jo vetëm që përçon një imazh jo të mirë në nivel lokal e ndërkombëtar, por edhe ndikon negativisht në disponimin e publikut, të futbollistëve e të stafit.

“Ndeshja e futbollit në mes të Kosovës dhe Izraelit, shfaqi pasqyrën reale dhe jo të mirë të infrastrukturës së futbollit kosovar në përgjithësi. Duke u bazuar në faktin se stadiumi ‘Fadil Vokrri’ viteve të fundit është i stërngarkuar me ndeshje të kompeticioneve ndërkombëtare, kujdesi për fushën, natyrisht është dashtë që të jetë në kontinuitet, në mënyrë që të mos ketë përkeqësim të përmasave që i pamë gjatë ndeshjes. Infrastruktura aspak në nivel, siç u pa gjendja me fushën, përveç që përçon një imazh jo të mirë, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, për zhvillimin e futbollit kosovar, ndikon negativisht edhe në disponimin e publikut dhe aktorëve tjerë sportivë, konkretisht futbollistëve dhe stafit”, ka thënë për Dukagjinin Mecini.

Albert Mecini, sociolog

Duke kritikuar institucionet që janë kompetente për mirëmbajtjen e fushës, Brajshori potencon se shoqëria nuk e meriton të shohë kombëtaren e tyre të luajnë në një fushë të tillë.

“Gjendja e fushës së tillë tregon se personat adekuat dhe institucionet mbikëqyrëse nuk e kryejnë punën e tyre si duhet duke lënë hapësirë dhe dyshime për korrupsion. Tani kemi një situatë të tillë, ku faji i hudhet komunës së Prishtinës, ndërsa ata e hedhin tutje tek Federata. Një është e sigurt se mirëmbajtësit e terrenit janë të trajnuar nga UEFA, ndërsa tereni duket si gropë për patate! Pse nuk mirëmbahet dhe është në gjendje të tillë (sepse fonde ka) duhet të pyetet federata e futbollit.

Kosova e ka vetëm stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshje ndërkombëtare, në qoftë se vazhdon me një terren të tillë, UEFA nuk do ta tolerojë më dhe kështu rrezikojmë që ndeshjet e kombëtares t’i zhvillojmë në ndonjë shtet fqinj! Tifozët dhe komplet shoqëria jonë nuk e meritojmë një gjë të tillë, sepse aty kur luan kombëtarja jonë për ato 90 minuta i harrojmë të gjitha problemet dhe e shijojmë në maksimum lojën”, ka përfunduar Brajshori.

Ndeshja Kosovë – Izrael, 12 nëntor

Ndonëse ka “lojë pingpongu” në mes të FFK-së e komunës sa i përket përgjegjësisë së mirëmbajtjes së stadiumit, Mecini ka thënë se nuk duhet të ketë pretekste për ta rregulluar gjendjen.

“Sa i përket problemeve të mirëmbajtjes së stadiumit ‘Fadil Vokrri’, çështja po lidhet me përgjegjësinë dhe pronësinë mbi të, si dhe mundësive financiare. Mirëpo ky nuk duhet të jetë pretekst për mosmirëmbajtjen që po i bëhet stadiumit. Ndërsa në nivel nacional, është obligim i organeve dhe institucioneve përkatëse, që sa më parë në afatshkurtër të bëhen renovime në stadium, dhe më pastaj të ndërtohet edhe një stadium nacional në të cilin do të zhvilloheshin aktivitetet sportive në kushte optimale.”, ka përfunduar Mecini.

Ndërkaq, Kosova një stadium nacional e ka vetëm premtim që disa vite.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika