Në shtëpinë e Hajriz Rizvanit në Obiliq sot dëgjohen vetëm tingujt e hapave në ujë e ndihet acari i dimrit.
Pas vërshimeve të shiut, shtëpia e tij është bërë e pabanueshme dhe gjithçka çka ka mbetur janë mobilet, ushqimet, e pjesë të ngrira të shtëpisë.
Mirëpo, këto dëme po i përjeton për herë të katërt ndër vite.
”Kemi qenë zgjuar kur ndodhën vërshimet e mëdha. S’kemi pas kohë dhe hapsirë me tërhek senet prej shtëpisë. Dëmet janë të mëdha, mbi 20 mijë euro por s’është hera e parë që po na ndodh kjo, është e katërta. Edhe para tre vitesh edhe përpara që kanë qenë nga kryetari i përparshëm nuk kanë pas interes me na largu këtë dëm që po na bëhet. Na vjen prej atjehit grumbullohen do shuti do gypa të bllokuar. Përkundrazi një gyp është i termocentralit A, i ftohësit”, ka thënë Hajriz Rizvani – I dëmtuar nga vërshimet.
Së bashku me familjen, Rizvani është detyruar ta braktisë shtëpinë dhe të zhvendoset në një hotel, i cili tash i është bërë barrë financiare.
“Jemi dy familje. E kam djalin e dytë të martuar, shoqen e ka shtatzënë, jemi tu prit fëmijë e tash e ka kohën për lindje. Jemi të mërzitshëm boll po falë Zotit apet nuk ka ndodh diçka me neve. Ka mujt me prek rrymën se uji afër u avyt po shpejt e shpejt e kemi ndalë rrymën. Ndodhi e rëndë për neve, ishalla s’i ndodh kujt. Jemi 8 anëtarë, familjen e largova, jemi shku në një hotel përkohësisht në Prishtinë deri t’gjejmë banesë. Edhe fëmijët i kam në shkollë këtu në Obiliq, më duhet mi end. Jam dal qatje deri t’ma bon një zgjidhje komuna, përndryshe s’kam kah ia maj”, ka thënë Hajriz Rizvani – I dëmtuar nga vërshimet.
Shpresat Rizvani i ka tek kryetari i komunës i cili sipas tij, i premtoi mbështetje.
”Kryetari na ka thanë, faleminderit prej tij, çdo moment ka qenë mas neve. Hajriz më tha largoj familjen, mos i rreziko, merri shpenzimet qa t’bohen e komuna është përgjegjës. E vështirë sa dush po kur t’caktohet prej zotit edhe bohet. Nuk po ia la krejt atij, s’është veç Zoti po edhe njeri. T’i kish nejt gati komuna, t’ishte rregullu, bon vaki jo po sigurt s’ishim kanë kështu”, ka thënë Hajriz Rizvani – I dëmtuar nga vërshimet.
Njësoj sikurse familja Rizvani, me probleme të natyrës së njëjtë janë përballur edhe banorë të Skenderajt, Drenasit, Gjakovës e Mitrovicës.
