Kryetari i Istogut nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se çështja e përgjegjësisë dhe e udhëheqjes së partisë duhet të vendoset në Kuvendin e LDK-së, e jo përmes presioneve individuale.
Duke folur në Debat Plus, Ferati ka bërë të ditur se të hënën do të mbahet mbledhja e Kryesisë Qendrore, ku do të diskutohet data e Kuvendit dhe hapat e mëtejmë të partisë.
“Të hënën e kemi mbledhjen e Kryesisë Qendrore, ku do të diskutohen data e Kuvendit dhe hapat e mëtejmë. Kuvendi është organi që në fund e jep verdiktin”, ka thënë Ferati.
I pyetur lidhur me dorëheqjen e Hykmete Bajramit nga pozita e nënkryetares së LDK-së, Ferati ka thënë se ajo është figurë e respektuar në parti, por sipas tij, nuk do të ishte vonë që vendimet të priteshin deri në mbajtjen e Kuvendit.
Ferati ka theksuar se në rast të dorëheqjes së kryetarit të partisë, automatikisht edhe Kryesia konsiderohet në dorëheqje, duke shtuar se nuk do të kishte kuptim zgjedhja e një kryetari të ri me një kryesi të vjetër.
“Është zonjë shumë e respektuar ka qenë shefe e Grupit, mendoj se nuk do të ishte vonë edhe nëse do ta kishe pritur Kuvendin, por e respektoj statusin e saj e ripërsërisë nëse kryetari jep dorëheqje kryesia është në dorëheqje nuk do të kishe kuptim një kryetar i ri me një kryesi të vjetër”, ka deklaruar ai.
Sa i përket pranimit të dorëheqjes së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Ferati ka theksuar se kjo është çështje që duhet të vendoset nga Kuvendi i partisë.
“Politikisht kjo është çështje që duhet ta vendos Kuvendi. Nuk mundet një kryetar t’i kontrollojë 355 delegatë, këtë nuk e ka bërë as Ibrahim Rugova në kohën e tij. Abdixhikun e ka zgjedhur Kuvendi i Isa Mustafës”, ka thënë Ferati.
Ai ka kundërshtuar praktikat e largimit të liderëve.
“Praktika e eliminimit të kokave të kryetarëve mendoj që është e gabuar, Kuvendi vendos”, ka theksuar Ferati.