Arben Fetoshi, drejtor i Institutit Octopus, kujtoi 26-vjetorin e sulmit të organizuar ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës më 3-4 shkurt 2000, të cilin e quajti “natë tmerri”.
Ai theksoi se krimi ndaj civilëve, ku u vranë 10 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, ende nuk ka aktakuzë dhe kërkoi hetim të plotë për identifikimin e përgjegjësve.
Ajo që dëshmitarët e përshkruajnë si “nata e tmerrit” mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, ishte një operacion “qytetar” i përndjekjes etnike, përmes dhunës dhe shkatërrimit, duke lënë 10 të vrarë, në mesin e të cilëve gra, fëmijë e pleq, 25 të plagosur dhe 93 të keqtrajtuar fizikisht.
“Edhe një masakër ndaj shqiptarëve, për të arritur “rezultatin” e planifikuar: dëbimin e tyre nga veriu, nën çirrjen e kriminelëve “asnjë shqiptar në veri”. Pas dështimit të operacionit “Patkoi” për spastrimin etnik të Kosovës nga ndërhyrja e NATO-s dhe kapitullimi i Serbisë më 9 qershor 1999 në Kumanovë, makineria e Millosheviqit “urdhëroi” operacionin e spastrimit etnik të veriut, si hakmarrje dhe si strategji e re politike. Sot, 26 vjet më vonë, “nata e tmerrit” ende është krimi i dëshmuar që pret një aktakuzë”, ka shkruar Fetoshi në Facebook.
Ai mes tjerash ka theksuar se qasja e KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit, shmangien e konfrontimit dhe integrimin gradual të serbëve, u shfrytëzua si hapësirë për konsolidim, armatosje dhe “institucionalizim” të strukturave ilegale të Serbisë.
“Prandaj, mesazhi i “natës së tmerrit” në Mitrovicë ende kërcënon, ende s’e ka marrë përgjigjen e duhur”, ka shkruar Fetoshi.
“Jo, derisa autorët janë të pandëshkuar. Jo, derisa Serbia ta kuptojë se “Maja e Madhe” është Kosovë”, ka shkruar tutje ai.