Fetoshi: BE dhe SHBA duhet të merren seriozisht me Vuçiqin

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të marrin një qasje më serioze dhe më të ashpër ndaj politikës së tij.

Sipas Fetoshit, në një kohë kur bota po përballet me përshkallëzime të rrezikshme në Lindjen e Mesme, Serbia si vend kandidat për BE, po del në mbrojtje të regjimit iranian, ndërkohë që prej katër vitesh nuk e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Ai thekson se krahasimi që Vuçiqi i bëri sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, duke pretenduar se ishte fabrikuar “katastrofa humanitare”, përbën nostalgji për politikën e Millosheviqit dhe dëshmi të qartë të kursit anti-perëndimor të Serbisë.

“Një mbështetje e tillë që e kornizon NATO-n si ‘agresor’ e plotëson mozaikun determinist të Serbisë në trekëndëshin Rusi-Iran-Kinë dhe paraqet sfidë serioze ndaj rendit të vlerave të lirisë dhe demokracisë”, vlerëson Fetoshi.

Sipas tij, mesazhet e Vuçiqit nuk janë thjesht retorikë për sovranitetin, por tentativë për të normalizuar gjenocidin në emër të tij dhe për të relativizuar përgjegjësinë e Serbisë për krimet e luftës në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, të vërtetuara me aktgjykime të formës së prerë nga drejtësia ndërkombëtare dhe OKB-ja.

Fetoshi thekson se këto qëndrime ekspozojnë strategjinë hibride të Serbisë post-millosheviqiane, e cila përdor analogjinë me Kosovën si instrument mobilizimi në kuadër të narrativës së “viktimizimit” dhe “rrethimit të padrejtë”.

Ai shton se një vend kandidat që riciklon mitet nacionaliste të epokës së Millosheviqit nuk mund të konsiderohet partner, por rrezik për paqen, sigurinë dhe demokracinë në rajon.

“BE-ja dhe SHBA-ja duhet të merren seriozisht me Vuçiqin. Tolerimi i tij për hir të ‘stabilokracisë’ nuk është qasje adekuate. Është koha që menaxhimi të zëvendësohet me kushtëzim”, thekson Fetoshi.

Sipas Fetoshit, masa si pezullimi i negociatave, ndërprerja e fondeve IPA III dhe e mbështetjes nga Plani i Rritjes nuk do të ishin ndëshkim, por zbatim i standardeve të politikës së zgjerimit për një vend që cenon vlerat themelore të projektit evropian.

Në fund, ai vlerëson se përpjekja për ta barazuar sulmin kundër Iranit me ndërhyrjen në Kosovë përbën agresion politik ndaj interesave euro-atlantike dhe një nga kërcënimet më serioze për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika