Arben Fetoshi, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride ”Octopus” ka thënë se ekspozimi i gënjeshtrave dhe raportimi profesional janë mjeti më i fuqishëm për të neutralizuar strategjinë e viktimizimit që Serbia përdor ndaj Kosovës.
Fetoshi në një postim në Facebook tutje thekson se, përtej kornizimit të çdo rasti si “incident etnik”, Serbia vazhdimisht fabrikon narrativa të rreme me qëllim “bombardimin” e opinionit publik dhe mashtrimin e komunitetit ndërkombëtar.
Sipas tij, hetimet e Inspektorati Policor i Kosovës(IPK) të datës 16 janar 2026 dhe pamjet e publikuara nga Kallxo.com lidhur me rastin në Urën e Bistricës në Leposaviq, kanë demantuar pretendimet e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën të Serbisë për dhunë policore ndaj qytetarëve serbë.
“Ky rast jo vetëm që u demantua, por dëshmoi qartë qëllimin e provokimit dhe nxitjes, përmes instrumentalizimit të qytetarëve serbë të Kosovës”, ka shkruar Fetoshi.
Ai shton se inicimi i veprës penale për “lajmërim të rremë apo kallëzim të rremë” nga Prokuroria në Mitrovicë është një procedurë standarde, por njëkohësisht ka efekt vetëdijësues dhe demaskues ndaj manipulimit.
Sipas Fetoshit, jo vetëm demantimi publik, por ndjekja institucionale dhe publikimi i fakteve përmes mediave profesionale janë veprime të domosdoshme.
“Jo se kështu ndalet Serbia, por sepse ekspozimi i strategjisë së saj ka efekt parandalues”, thekson ai, duke shtuar se qëllimi i Beogradit nuk është mbrojtja e qytetarëve serbë, por përdorimi i gënjeshtrës si armë për shtrembërimin e realitetit.
Në fund, Fetoshi vlerëson se çdo demaskim i dokumentuar dhe çdo raportim profesional jo vetëm që e neutralizon narrativën serbe para komunitetit ndërkombëtar, por edhe e forcon qëndrueshmërinë demokratike të Kosovës.
