Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka deklaruar se masakrat në Fortesë, Celinë, Brestoc dhe Krushë përbëjnë dëshmi të qarta të gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë, i cili vazhdon të mohohet.
Ai ka theksuar se ndërhyrja e NATO më 24 mars 1999 ishte e domosdoshme për të ndalur spastrimin etnik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
“Sot, në 27 vjetorin e betejës me gjenocidin, beteja me “viktimizimin” serb është bërë më sfiduese. E vërteta e njohur botërisht, vazhdon të ngatërrohet në narrativën e përmbysur serbe: Reçaku “inskenim”, NATO “agresor”, Serbia “viktimë””, ka shkruar Fetoshi në Facebook.
Sipas Fetoshit, pavarësisht fakteve për mijëra të vrarë, të zhdukur dhe të dëbuar, Serbia vazhdon ta shtrembërojë të vërtetën duke u paraqitur si viktimë dhe duke mohuar krimet.
Ai ka shtuar se drejtësia për viktimat ende mungon, ndërsa propagandat dhe narrativat serbe synojnë harresën e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Përpiqen ta fajësojnë NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë, Gjermaninë, Francën dhe ndërkohë, vazhdojnë agresionin hibrid me “viktimizimin”. Përmes strategjisë DARVO (Deny, Attack, Reverse Victim and Offender), tentojnë ta shmangin përgjegjësinë, duke ndërruar vendin me viktimën. Prandaj, hija e krimit nuk është metaforë, është strategji. Strategji perfide për ta manipuluar të vërtetën, duke fabrikuar “terrorin, diskriminimin dhe rrezikun ekzistencial” të serbëve në Kosovë”, ka shkruar mes tjerash ai.
Fetoshi ka përshkruar me detaje kronologjike masakrat në Fortesë, Celinë, Brestoc dhe Krushë, duke përmendur mënyrën e kryerjes së krimeve, numrin e viktimave dhe dëshmitë e të mbijetuarve.