Fetoshi: Neutralizimi i Serbisë në zgjedhje – detyrë për vendin dhe kontribut për Europën

Arben Fetoshi, drejtor i Instituti për Studime të Luftës Hibride 'Octopus' (Foto nga intervista në FIVE në RTV Dukagjini)

Drejtori i Instituti Octopus, Arben Fetoshi, ka ngritur shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, duke i cilësuar ato si kërcënim serioz për demokracinë, stabilitetin institucional dhe të drejtat politike të komunitetit serb në Kosovë.

Në një analizë të titulluar “STOP BEOGRADIT”, Fetoshi thekson se Serbia vazhdon të përdorë mekanizma politikë, informativë dhe të sigurisë për të kontrolluar votën serbe në Kosovë dhe për të penguar pluralizmin politik brenda këtij komuniteti.

Sipas tij, Republika e Kosovës ka garantuar të drejta të zgjeruara për komunitetin serb, përfshirë përfaqësimin në Parlament dhe institucionet qendrore, por shteti duhet të sigurojë që mandatet e rezervuara të përfaqësojnë interesat e qytetarëve serbë të Kosovës dhe jo “urdhrat politikë të Beogradit”.

Shkrimi i plotë i Fetoshit: 

STOP BEOGRADIT
(Neutralizimi i ndërhyrjeve serbe në zgjedhje – detyrë për vendin dhe kontribut për Europën)

Serbia vazhdon ndërhyrjet malinje në Kosovë, veçanërisht ndaj proceseve zgjedhore, duke cenuar jo vetëm rendin kushtetues dhe stabilitetin institucional, por më së shumti vetë komunitetin serb, përkatësisht të drejtën e qytetarëve serbë për zgjedhje dhe përfaqësim të lirë politik.

Republika e Kosovës iu ka garantuar atyre të drejta të zgjeruara dhe përfaqësim në Parlament e në institucione të tjera qendrore, por ajo duhet të kujdeset po ashtu që mandatet e rezervuara të përfaqësojnë vullnetin dhe interesat kosovare të qytetarëve serbë, jo urdhërat politikë të Beogradit apo interesat e strukturave kriminale të lidhura me të.

Çdo cikël zgjedhor në Kosovë shoqërohet me intensifikim të operacioneve hibride, të orkestruara e zbatuara nga Presidenca e Qeveria në Beograd, BIA, rrjetet kriminale të lidhura me kryeterroristin Milan Radoiçiq, si dhe nga Lista Serbe si instrument politik për kontrollin e serbëve në Kosovë.

Këto ndërhyrje zhvillohen në tërë ekosistemin informativ, politik e të sigurisë, ndërsa opinioni publik në Kosovë vazhdon i fragmentuar në garën e ashpër politike të subjekteve shqiptare.

Në prapaskenë, mekanizmat shtetërorë e joshtetërorë serbë veprojnë me intensitet të lartë për kontrollin e votës serbe, presionin ndaj kundërshtarëve politikë dhe sabotimin e pluralizmit te ky komunitet, si goditje ndaj demokracisë në Kosovë.
Duke e penguar komunitetin serb nga zgjedhjet e lira e demokratike, Serbia kalkulon sabotimin e zhvillimit normal të Kosovës si shtet.

Për shkak të kontrollit politik mbi 10 mandatet e garantuara në Parlament, Kosova, jo vetëm që përballet me vështirësi në formimin e institucioneve, por edhe me bllokim të funksionimit apo të nismave të rëndësishme legjislative.

Ndërhyrja serbe në zgjedhjet e Kosovës ka një histori të gjatë e të dhunshme. Në vitin 2013, strukturat kriminale dhe shtetërore serbe vranë kandidatin e SLS-së për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Dimitrije Janiçijeviq. Në vitin 2018, u vra po ashtu Oliver Ivanoviq, një nga figurat më të njohura opozitare ndaj Listës Serbe. Në vitin 2019, SLS-ja e pezulloi aktivitetin politik për shkak të mungesës së kushteve minimale për zgjedhje të lira dhe konkurrencë demokratike brenda komunitetit serb.

Ndërkaq, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, u arrestua në flagrancë Fatmir Sheholli, i akuzuar si bashkëpunëtor i BIA-s dhe implikim në operacione të ndikimit zgjedhor he sabotimit të kundërshtarëve politikë të Listës Serbe.

Nga një perspektivë më e gjerë politike, regjimi në Beograd e kalkulon destabilizimin e Kosovës edhe për ruajtjen e pushtetit të brendshëm në Serbi. Fushatat e dezinformimit e krizat e fabrikuara rreth Kosovës përdoren si instrumente mobilizimi nacionalist dhe si mekanizma për legjitimimin e Aleksandar Vuçiqit, i cili synon të mbetet njëkohësisht “faktor stabiliteti” për Perëndimin dhe partner i privilegjuar për Rusinë e Kinën.
Prandaj, neutralizimi apo të paktën reduktimi i hapësirës për ndërhyrjen e Serbisë në proceset zgjedhore të Kosovës, nuk është vetëm detyrë në shërbim të interesit të vendit, por edhe një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e vlerave fundamentale europiane.

Në kontekstin e vlimeve aktuale gjeopolitike, kjo detyrë kërkon maturi institucionale, transparencë demokratike dhe argumentim sistematik ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke e trajtuar ndërhyrjen serbe jo vetëm si çështje të sigurisë kombëtare, por edhe si kërcënim ndaj integritetit të proceseve demokratike në tërë Ballkanin Perëndimor.

Shija e redaktorit

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Të fundit nga rubrika