Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke bërë thirrje për qetësi, dinjitet dhe unitet në Kosovë.
Fetoshi e ka cilësuar vendimin si jashtëzakonisht të rëndë dhe të padrejtë, ndërsa ka theksuar se beteja për të vërtetën nuk ka përfunduar, pasi procesi do të vazhdojë në Gjykatën e Apelit.
“Me gjithë vendimin e rëndë dhe të padrejtë, beteja për të vërtetën nuk ka përfunduar. Në Gjykatën e Apelit do të vazhdojë beteja me argumente dhe kundërshtimi i vendimit të sotëm. Aktgjykimi i sotëm nuk duhet të trajtohet si fundi i këtij procesi të padrejtë”, ka shkruar Fetoshi.
Ai ka bërë thirrje që zemërimi dhe zhgënjimi të mos shndërrohen në dhunë apo destabilizim, duke paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, mund të ketë çdo përshkallëzim në Kosovë.
“Incidentet eventuale apo çfarëdo cenimi i rendit në Kosovë, do të mund të instrumentalizohen nga Serbia për narrativat dhe inskenimet e saj kundër Kosovës: për ta paraqitur shtetin tonë si të paqëndrueshëm, institucionet si të brishta dhe shoqërinë kosovare si kërcënim për sigurinë”, ka deklaruar ai.
Fetoshi ka thënë se reagimi ndaj vendimit duhet të jetë demokratik dhe paqësor, duke nënvizuar se qytetarët kanë të drejtë ta kundërshtojnë vendimin, ta kritikojnë dhe të protestojnë.
“Nuk duhet t’ia japim Serbisë atë që s’ka mundur ta fitojë gjatë luftës: mundësinë që ta minojë Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai.
Tutje, Fetoshi ka theksuar se qetësia dhe përmbajtja nuk nënkuptojnë pajtim me vendimin.
“Sot duhet ta ndajmë mospajtimin nga interesi strategjik i Kosovës. Asnjë reagim yni nuk duhet ta dëmtojë Kosovën. Qetësia dhe përmbajtja nuk janë pajtim me vendimin. Beteja për Drejtësi vazhdon”, ka përfunduar Fetoshi.