Arben Fetoshi, drejtor i Institutit për studime të luftës hibride “Octopus”, ka reaguar përmes një postimi në Facebook me titull “Kosova dhe NATO 3.0”, duke akuzuar mediat serbe për kornizim manipulativ të raportimeve mbi të ardhmen e NATO-s dhe praninë e KFOR-it në Kosovë.
Fetoshi i referohet raportimit të Politico-s të 19 shkurtit 2026, ku përmenden përpjekjet transatlantike për një “partneritet të ri” me përgjegjësi më të madhe evropiane dhe presioni i SHBA-së për një “rikonfigurim të madh” të NATO-s.
Sipas tij, ky raportim u deformua nga mediat serbe, të cilat e paraqitën si “tërheqje amerikane” dhe “mbyllje të KFOR-it”.
Fetoshi thekson se, ndonëse diplomatët anonimë të cituar nga Politico flisnin për mbylljen e misionit në Irak deri në shtator 2026 dhe për “diskutime në fazë të hershme” për reduktim të misionit në Kosovë, narrativa në Serbi u fokusua në një interpretim alarmues për fatin e serbëve në Kosovë.
Sipas Fetoshit, kjo qasje përfaqëson një rikthim të narrativave të një viti më parë, kur raportimi selektiv pas një artikulli të Bild ishte përdorur për të ndërtuar një diskurs “triumfalist” mbi ridislokimin e trupave amerikane si “tërheqje” dhe dobësim të Perëndimit. Tani, sipas tij, e njëjta çështje është kthyer në narrativë viktimizuese, me theks te “terrori” i supozuar ndaj serbëve dhe me kalkulime për mobilizim dhe “legjitimim” të ndërhyrjeve për mbrojtje.
Fetoshi vëren se kornizat dominuese në mediat serbe fokusohen në skenarë spekulativë për tërheqjen apo zvogëlimin e KFOR-it, me tonalitet alarmues dhe nxitje emocionale, duke anashkaluar deklaratat e komandantit të KFOR-it për “gatishmëri kundër çdo eskalimi” dhe “mbështetje për dialogun si kornizë të zgjidhjes”.
Ai thekson gjithashtu se injorohet konteksti ndërkombëtar i tensioneve gjeopolitike që po nxisin debatet për “rikonfigurimin” e NATO-s, si dhe fakti që Kosova është konfirmuar si partnere e rëndësishme në kuadër të Bordit të Paqes, me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) të angazhuar në misionin për Gazën.
Sipas Fetoshit, për propagandën serbe faktet deformohen sipas nevojave të kornizimit strategjik, duke e lidhur këtë me “alarmet” e presidentit serb Aleksandar Vuçiq mbi Marrëveshjen Ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilën ai e ka cilësuar si “kërcënimin më të madh” për Serbinë.
Në fund Fetoshi është shprehur se pavarësisht formës që mund të marrë në të ardhmen koncepti i ashtuquajtur “NATO 3.0” për transformimin e aleancës pas vitit 2022, “rikonfigurimi i madh” nënkupton përpjekje për zgjidhje më efikase që garantojnë interesat transatlantike mbi sigurinë, lirinë dhe demokracinë në botë.