Arben Fetoshi nga Instituti OCTOPUS, në “Five” në RTV Dukagjini, ka folur rreth zhvillimeve të djeshme në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku është diskutuar për Kosovën.
Ai ka thënë se mbledhja ishte një shfaqje cinike e Këshillit të Sigurimit, pasi që atë e udhëheq Rusia, pra forumin më të rëndësishëm të paqes.
“Një forum i cili thjesht është kthyer në një skenë retorike të ritualit të përsëritshëm çdo 6 muaj me raportin për Kosovën në emër të misionit të UNMIK-ut”, ka thënë ai.
“Natyrisht, për Kosovën është me rëndësi për shkak të specifikave, sepse përfaqësimi i Kosovës në çfarëdo forumi ndërkombëtar është jashtëzakonisht i rëndësishëm. E rëndësishme është e vërteta e Kosovës, pra kjo është alfa dhe omega e komunikimit strategjik të Kosovës përballë propagandës dhe agresionit të vazhdueshëm hibrid nga ana e Serbisë.”
“Nga ana tjetër, kemi të bëjmë me një dështim sistematik të OKB-së dhe Këshillit të saj të Sigurimit, të cilin në mënyrë implicite e tha edhe përfaqësuesi i SHBA-së. E nëse i referohemi misionit të UNMIK-ut, është kot. UNMIK-u realisht i takon historisë, përfaqëson njëfarë paradoksi pas 17 shkurtit 2008. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran…”, ka thënë ndër të tjera ai.