FIFA nis procedurë disiplinore ndaj Serbisë, por jo edhe ndaj Zvicrës





FIFA ka iniciuar procedurë disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Serbisë.

Kështu ka bërë të ditur shtëpia botërore e futbollit, të hënën e pesë dhjetorit, ku thuhet se kjo procedurë ndaj federatës serbe është ngritur për shkak se dyshohet që ka bërë shkelje eventuale të tri neneve të kodit disiplinor të FIFA-s, në ndeshjen që e luajti kundër Zvicrës.

Serbia po dyshohet për sjelljen e keqe të lojtarëve dhe zyrtarëve të saj, pastaj diskriminimin dhe sigurinë në ndeshje, shkruan Tagesanzeiger.

Megjithatë, thuhet se nuk do të ketë asnjë procedim ndaj Zvicrës apo kapitenit Granit Xhaka.

Zvicra e eliminoi Serbinë nga Botërori, pasi e mposhti 3:2 në ndeshjen e fundit të Grupit G.

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar në FIFA ndaj fyerjes së rëndë të trajnerit të Përfaqësueses së Serbisë dhe veprimeve raciste të tifozëve serbë në ndeshjen e Kupës së Botës, Zvicër – Serbi, e zhvilluar më dy dhjetor.

Përmes një komunikate për media, thuhet se shfaqja e slloganeve me mesazhe politike dhe thirrjet raciste ndaj shqiptarëve, u dëgjuan pothuajse gjatë tërë ndeshjes dhe për to raportuan edhe mediat botërore.

“Ekipe dhe tifozë me sjellje e filozofi të urrejtjes së njeriut për njeriun nuk do të duhej të kenë vend në ngjarje kaq të rëndësishme sportive siç është Botërori ‘Katari 2022’”.

“Është e pakuptimtë dhe absurde urrejtja, me të cilën, është ushqyer ndër vite opinioni në shtetin fqinj ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, në vend se të angazhoheshin për dorën e pajtimit dhe të kërkimfaljes”, thuhet në njoftim.

FFK ka parashtruar ankesë me dëshmitë e nevojshme në FIFA edhe për këtë rast, pak ditë pas ankesës lidhur me shfaqjen e pankartës në zhveshtoren e Përfaqësueses së Serbisë, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

“FFK kërkon nga FIFA hetim të këtij rasti dhe sanksione ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, në mënyrë që thirrjet fashiste njëherë e përgjithmonë të qëndrojnë larg stadiumeve të futbollit dhe larg eventeve si Kupa e Botës”, vijon njoftimi.

Thirrjet e tilla nga tifozët e një ekipi pjesëmarrës në Kupën e Botës, sipas FFK-së, nuk mund të kuptohen e arsyetohen nga askush.

“Sidomos tani kur Evropa po kërcënohet nga situata e brishtë e sigurisë, si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë”.

FFK do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të vlerave dhe dinjitetit të vendit dhe popullit të saj, por njëherësh edhe në mbrojtje të vlerave që përçon futbolli në përgjithësi, e që janë uniteti mes njerëzve, shpresa, gëzimi dhe pasioni për gjithpërfshirje.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika