Ish-presidenti i KF Prishtina, Remzi Ejupi, pas fitores së Kosovës ndaj Sllovakisë, duke thënë se loja e përfaqësueses nuk ishte vetëm futboll, por një pasqyrim i historisë dhe motivimit që bartin lojtarët.
Ejupi ka theksuar se në lojën e futbollistëve të Kosovës nuk sheh vetëm taktikë apo formacion, por një energji të veçantë që buron nga historia dhe përjetimet familjare.
Sipas tij, futbollistët kosovarë janë rritur me rrëfimet e prindërve për periudha të vështira, duke e kthyer këtë trashëgimi në motivim në fushë.
“Kur ata veshin fanellën e Kosovës, nuk veshin vetëm një uniformë sportive. Veshin një kujtesë. Veshin një histori që nuk është e tyre drejtpërdrejt, por që e ndjejnë si të tillë. Dhe kjo i shtyn të bëjnë më shumë se sa kërkon loja”, ka shkruar ai.
Ejupi vlerëson se kjo ndjenjë i shtyn lojtarët të japin më shumë se maksimumi, duke e kaluar kufirin e lojës dhe duke e kthyer futbollin në një formë dëshmie për identitetin dhe ekzistencën e tyre.
“I shoh si djem që ende luftojnë për prindërit e tyre. Për atë që ata kanë jetuar. Për atë që nuk duhet të përsëritet më. Dhe kjo i bën të veçantë. Por një ditë, që të bëhen të mëdhenj në kuptimin e plotë të fjalës, do t’u duhet të fitojnë edhe pa luftuar. Vetëm duke luajtur”, ka shkruar mes tjerash ai.
Megjithatë, ai paralajmëron se kjo barrë emocionale, megjithëse e fuqishme, nuk mund të jetë e përhershme. Sipas tij, për t’u bërë një ekip i madh, Kosova duhet të kalojë nga motivimi emocional te ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe dominues në fushë.
Ai e sheh këtë fazë si një moment kalimi për Kosovën, ku ndërthuren emocioni dhe nevoja për strukturë, duke e cilësuar këtë si njëkohësisht bukurinë dhe sfidën e ekipit.
Ejupi ndalet edhe te ndeshja e ardhshme ndaj Turqia më 31 mars, duke e cilësuar atë jo vetëm si një sfidë kualifikuese, por si një përballje mes së kaluarës dhe një realiteti të ri, ku brezi i ri synon ta kapërcejë historinë dhe ta kthejë atë në themel, e jo në barrë.