Një 23-vjeçare është lënduar ditën e enjte nga rënia e çatisë së objektit të komunës së Prishtinës në “Arbëri”.
Qytetarja e cila ka marrë lëndime po vazhdon të trajtohet në Mjekimin Intenziv të QKUK-së.
Shefi i Mjekimit Intenziv, Shaqir Uka, ka thënë për “Telegrafin” se ajo është sjellë në këtë repart pas ndërhyrjes kirurgjike që ka pasur, dhe se e njëjta ka lëndime serioze.
“Është sjellur mbrëmë në Mjekimin Intenziv mbrëmë pas intervenimit kirurgjik për shkak të lëndimeve të shkaktuara në regjionin e kokës në regjionin e trurit. Gjendja e përgjithshme për momentin prezantohet të jetë stabile përkundër lëndimeve serioze që ka pësuar. Ka edhe lëndime të unazave të qafës”, tha ai.
Uka tha më tej se “ pacientja vazhdon të qëndrojë edhe më tutje e fjetur me barna e varur nga aparatura e frymëmarrjes dhe e mbuluar me terapinë standarde që bëhet për lëndimet e tilla”.
Ndryshe, 23-vjeçarja raportohet se është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani./Telegrafi