Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur sot konferencën për shtyp para ndeshjeve të fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ku fillimisht fokusi është te përballja me Slloveninë të shtunën në Lubjanë.
“Në fillim kam thënë se çdo gjë do të jetë e hapur deri në fund. Çdo gjë është e mundur. Fokusi është në ndeshjen me Slloveninë. Synojmë të fitojmë të paktën një pikë, që të paktën të shkojmë në plejof, e më pas do të shohim tutje”, tha Foda.
Ai u shpreh i kënaqur me gjendjen fizike të lojtarëve, duke theksuar se ekipi është pothuajse i plotë.
“Që të gjithë lojtarët janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Kanë kaluar mirë në ndeshjet e fundit. Rrahmani dhe Dellova janë kthyer dhe janë në formë të mirë. Kemi shumë alternativa në ekip. Shpresoj që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm gjatë gjithë javës. Kemi treguar edhe më herët se mund të fitojmë edhe me mungesa”, theksoi ai.
Foda konfirmoi se portieri Aro Muriq nuk do të luajë ndaj Sllovenisë për shkak të suspendimit, por shtoi se ka tri alternativa për ta zëvendësuar.
“Aro Muriq është i suspenduar dhe nuk mund të luajë. E dimë që po kalon formë të mirë, por kemi tri opsione për portën dhe njëri prej tyre do ta zëvendësojë. Në ditët në vijim do të vendosim se cili do të jetë titullar”, shtoi ai.
Selektori foli edhe për kthimin e kapitenit Amir Rrahmani dhe për sulmuesin Edon Zhegrova, të cilit i premtoi më shumë minuta.
“Rrahmani ka pushuar dy muaj për shkak të lëndimit, por tani është kthyer dhe ka luajtur tri ndeshje javën e kaluar. Duhet të rigjenerohet dhe të përshtatet me ekipin. Zhegrova po fiton më shumë minuta në klubin e tij dhe kjo është shumë e rëndësishme për formën e tij fizike. Tani që ka luajtur më shumë, do të mundohemi t’i japim edhe më shumë minuta në ndeshjet e ardhshme”, ka deklaruar Foda.