Forcat talebane afgane shënjestruan “disa pika” në Pakistanin fqinj, tha të shtunën ministria e mbrojtjes e Afganistanit, disa ditë pasi avionët pakistanezë kryen bombardime ajrore brenda Afganistanit.
Deklarata nga Ministria e Mbrojtjes nuk e specifikoi Pakistanin, por tha se sulmet u kryen “përtej ‘vijës hipotetike'” – një shprehje e përdorur nga autoritetet afgane për t’iu referuar një kufiri me Pakistanin që ata e kanë kundërshtuar prej kohësh.
“Disa pika përtej vijës hipotetike, duke shërbyer si qendra dhe strehë për elementët keqdashës dhe mbështetësit e tyre që organizuan dhe koordinuan sulmet në Afganistan, u shënjestruan si hakmarrje nga drejtimi juglindor i vendit,” tha ministria.
I pyetur nëse deklarata i referohej Pakistanit, zëdhënësi i ministrisë Enayatullah Khowarazmi tha: “Ne nuk e konsiderojmë atë si territor të Pakistanit, prandaj, nuk mund ta konfirmojmë territorin, por ishte në anën tjetër të vijës hipotetike”.
Afganistani ka refuzuar për dekada kufirin, të njohur si Linja Durand, e tërhequr nga autoritetet koloniale britanike në shekullin e 19-të përmes brezit fisnor malor dhe shpesh të paligjshëm midis asaj që tani është Afganistani dhe Pakistani.
Nuk u dhanë detaje të viktimave apo zonave specifike të synuara. Krahu i marrëdhënieve publike të ushtrisë pakistaneze dhe një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Autoritetet afgane paralajmëruan të mërkurën se do të hakmerren pas bombardimeve pakistaneze, të cilat ata thanë se kishin vrarë civilë. Islamabad tha se kishte shënjestruar strehëzat e militantëve islamikë përgjatë kufirit.
Fqinjët kanë një marrëdhënie të tensionuar, me Pakistanin që thotë se disa sulme militante që kanë ndodhur në vendin e tij janë nisur nga toka afgane – një akuzë që talibanët afganë e mohojnë./Reuters