Filmi i ri i Guillermo del Toros në Netflix risjell historinë klasike të Mary Shelley-t, duke u fokusuar kryesisht tek marrëdhënia e komplikuar dhe e tensionuar mes Frankenstein-it dhe krijesës së tij apo të “atit” dhe të “birit”.
Për Del Toron, “Frankenstein” nuk është paralajmërim për rreziqet e shkencës, por një tregim për dashurinë, refuzimin dhe pasojat e braktisjes.
Regjisori e ndërton filmin si një operë vizuale me ngjyra të forta, skena madhështore dhe kostume të jashtëzakonshme viktoriane. Stili i tij i njohur, imazhe të punuara në detaj dhe kompozime si “stained glass” – e bën filmin të dallojë menjëherë.

Oscar Isaac interpreton Victor Frankenstein të ftohtë dhe manipulator, i aftë të duket i mirë vetëm kur i intereson.
Del Toro e paraqet Frankenstein-in si njeriun që krijon përbindëshin jo fizikisht po moralisht. Sjellja e tij ndaj krijesës është mizore, tallëse dhe e mbushur me frikë e egoizëm.
Në anën tjetër, aktori i njohur Jacob Elordi i jep jetë krijesës me një ndjeshmëri të rrallë.
Me pak fjalë, shumë gjeste dhe lëvizje të kujdesshme, ai e shfaq “monstrin” si një qenie të pafajshme që mëson të flasë, të dojë, të ndiejë vetminë dhe dhimbjen.
Fjalët e tij, “I am obscene to you, but to myself I simply am”, rrezatojnë dhimbjen, që përçon fuqinë e brendshme dhe dinjitetin, duke e bërë shikuesin të ndjejë çdo plagë të shpirtit të tij.
Del Toro e shtyn shikuesin drejt pyetjes së përhershme, kush është vërtet përbindëshi? Në këtë version, përgjigjja është më komplekse — asnjëri nuk është thjesht i tillë, sepse të dy janë produkte të dhimbjes dhe zgjedhjeve të tyre.
Krijesa nuk ishte përbindësh, por pasqyrë e shpirtit të njeriut. “Plaku i verbër” mund ta ndjente butësinë dhe dhimbjen e tij, por jo pamjen e jashtme, një kujtesë se shpesh në jetë, vetë esenca e njeriut nuk shihet me sy ajo ndjehet me zemër.
