Forca e Sigurisë së Kosovës ka shënuar një tjetër hap në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të saj.
Një ditë më parë, është pranuar dërgesa e dytë e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk, Roketsan, në dhjetor të vitit 2023.
OMTAS dallohet për efikasitetin kundër tankeve dhe automjeteve të blinduara.
Në faqen zyrtare të kompanisë prodhuese, theksohet se rrezet infra të kuqe të imazhit që posedon ky sistem, lejojnë përdorimin e tij ditën dhe natën, dhe në të gjitha kushtet e pafavorshme të motit.
Me një diametër prej 160 mm e gjatësi 1.8 m, pesha e tij arrin në 35 kg vetëm të raketës dhe tubit të lëshimit dhe 36 kg të sistemit të lëshimit me trekëmbësh.
Për ekspertë të sigurisë ky furnizim i radhës vlerësohet si i mençur dhe i rëndësishëm për vendin.
“Ardhja e këtij arsenali është jashtëzakonisht e dobishme për të forcuar kapacitetet e ushtrisë sonë, është një sistem modern i kohëve të fundit dhe lehtëson jashtëzakonisht shumë punën e ushtrisë së Kosovë në rast të ndonjë konflikti të armatosur me Serbinë. Sistemi ka karakteristika të veçanta, konsiderohet ndër më të avancuarit kundër blindave mirëpo duhet theksuar se nuk preferohet të përdoret vetëm ndaj një tanku/objektivi për shkak të kostos së lartë të municionit të saj. Fuqinë shpërthyese e ka jashtëzakonisht të madhe, mund të depërtoj një thellësi të betonit prej 7 metrash thellësi”, ka theksuar Korab Blakaj – Ekspert i Sigurisë.
Por për Blakajn, Kosova duhet të investojë edhe më shumë viteve të ardhshme.
“Është njëra prej investime më të mira që ka bërë FSK në këtë kohë. Priten investime të tjera dhe janë të domosdoshme, nuk duhet të vonohemi shumë sepse tash po qartësohen rregullat e rendit të ri, ka lëvizje të madhe të investimeve ushtarake në Evropë që kanë kaluar 5 përqindëshin në brutiproduktin vendor. Kosova që është afro 2 për qind të brutoproduktit vendor me investim të ushtri, duhet ta kalojë edhe kjo. Do duhej të paktën 10 pëqind të investonte në 10 vitet e ardhshme”, ka deklaruar Blakaj.
Sistemi u pa për herë të parë në arsenalin e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë ushtrimit të NATO-s “Defender Europe 2023”.
