Në nderim të manifestimit të 28-vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, Forca e Sigurisë së Kosovës ka rreshtuar kuadratet e saj në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
FSK-ja nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur se ceremonia ushtarake nisi me raportimin para Presidentes së Kosovës dhe Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke vazhduar me homazhe pranë obeliskut nga krerët më të lartë shtetërorë, në nderim të Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri.
Për të parë nga afër këtë ceremoni, të pranishëm ishin krerët më të lartë shtetërorë, oficerë të lartë të FSK-së, ambasadorë, ushtarakë ndërkombëtarë, mysafirë të ftuar dhe një numër i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Epopeja e UÇK-së përjetësoi aktin më sublim të qëndresës sonë kombëtare: sakrificën heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, të cilët me flijimin e tyre të lavdishëm u bënë gur themeli i shtetit tonë. Gjaku i tyre dhe i të gjithë dëshmorëve të kombit u shndërrua në betim të përhershëm për liri, dinjitet dhe atdhe”, thuhet në njoftimin e FSK-së.