G-7 përqendrohet te forcimi i bankave dhe zinxhiri i furnizimeve

Problemet bankare, siguria kibernetike dhe besueshmëria te zinxhiri i furnizimeve ishin ndër pikat e agjendës së bisedimeve me dyer të mbyllura të premten në Japoni, nga grupi i shtatë ekonomive më të përparuara të botës

Foto: AP

Problemet bankare, siguria kibernetike dhe besueshmëria te zinxhiri i furnizimeve ishin ndër pikat e agjendës së bisedimeve me dyer të mbyllura të premten në Japoni, nga grupi i shtatë ekonomive më të përparuara të botës.

Tensionet me Kinën dhe agresioni i Rusisë në Ukrainë zunë një hapësirë të gjerë në gamën e çështjeve që po trajton G-7 këtë vit në takimin që po zhvillohet në Japoni, anëtari i saj i vetëm aziatik.

Por, ndërsa ministrat e financave të vendeve të G-7 dhe shefat e bankave qendrore diskutuan mbi mënyrat për të mbrojtur rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare dhe për të parandaluar atë që ata e quajnë “shtrëngim ekonomik” nga Kina, Pekini u kundërpërgjigj, duke e akuzuar G-7 për hipokrizi.

Kina është viktimë e shtrëngimit ekonomik, tha të premten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.

“Nëse ndonjë vend duhet të kritikohet për shtrëngim ekonomik, duhet të jetë SHBA-ja. Shtetet e Bashkuara kanë tejkaluar konceptin e sigurisë kombëtare, duke abuzuar me kontrollet e eksportit dhe duke marrë masa diskriminuese dhe të padrejta kundër kompanive të huaja”, tha zëdhënësi Wang në një konferencë shtypi.

Kina e akuzon Uashingtonin se po pengon rritjen e saj si një vend gjithnjë e më i pasur dhe modern, përmes kufizimeve të tregtisë dhe të investimeve që Shtetet e Bashkuara thonë se janë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë ekonomike amerikane.

Duke folur para fillimit të bisedimeve, sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen tha se masa të tilla kanë për objektiv sigurinë kombëtare.

“Nuk kanë objektiv minimin e konkurrencës ekonomike të Kinës ose parandalimin e tyre për të përparuar ekonomikisht”, tha Yellen.

Yellen përmendi veprimet tregtare të Pekinit kundër Australisë, si një shembull i shtrëngimit ekonomik nga Kina.

“Ka pasur shembuj të shtrëngimit ekonomik nga Kina të vendeve që ndërmarrin veprime, me të cilat Pekini nuk është i kënaqur nga perspektiva gjeopolitike. Vendet e G-7 ndajnë një shqetësim të përbashkët lidhur me këtë lloj aktiviteti dhe po përpiqemi të shohim se çfarë mund të bëjmë për ta luftuar këtë lloj sjelljeje”, tha zonja Yellen.

Marrëdhëniet e Kinës me Bashkimin Evropian, i cili është gjithashtu anëtar i G-7, janë cënuar si rezultat i fërkimeve mbi tregtinë dhe mbështetjes së heshtur të Pekinit për Rusinë.

Pjesëmarrësit në takimin në Niigata thanë se do të shqyrtojnë mënyra për të parandaluar vendet që të shmangnin sanksionet kundër Moskës, që synojnë të pengojnë aftësinë e saj për të vazhduar luftën në Ukrainë. / VoA

 

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Të fundit nga rubrika