Kreshnik Gashi nga radhët e BIRN ka thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nuk do të duhej të fliste në emër të presidentes Vjosa Osmani.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Gashi ka thënë se procesi i kryeprokurorit të shtetit nuk do të duhej të ishte një i atillë, në të cilin, do të duhej të merrte pjesë Kurti.
“Problemin e kemi te një plan për ta marrë kryeprokurorin e shtetit, partia e cila është në pushtet…jemi duke e parë publikisht që kryeministri Kurti po e do një njeri, të cilin ai thotë se është më i besueshmi, më i miri për ta bërë kryeprokruror të shtetit. Assesi kryeministri nuk guxon të përzihet në këtë proces, absolutisht kryeministri nuk do të duhej të dilte e të fliste në emër të presidentes aty dhe ta udhëzojë presidenten se çfarë të bënte në këtë drejtim. Presidentja nuk ka dalë akoma publikisht e nuk ka thënë se nuk e do Blerim Isufajn si kryeprokuror”, ka deklaruar Gashi.
Ky i fundit ka thënë se sistemi prokurorial në Kosovë ka probleme me korrupsion dhe përfshirjen e individëve të tyre në krim. Ai vlerëson që një sistemi të tillë i duhet koha për ta filtruar vetveten.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjersa ka folur rreth rastit të arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi, ka thënë se në të kaluarën ka pasur “keqpërdorime marramendëse”, mirëpo sipas tij, ato asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë.
“Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK, në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro, natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Mirëpo zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet e fakteve e dështimeve për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero. Ndërsa, zelli për t’u marrë me kryeshefin Krasniqi, i cili vitin 2022 bashkë me ekipin e vet dhe me punëtorët e KEK-ut ia solli 107 milionë euro fitim ishte maksima”, ka thënë ai gjatë seancës së Kuvendit.
Në faltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kurti kishte thënë se nuk ka dyshim që në Prokurorinë e Shtetit ka një “disponim politik negativ” ndaj Qeverisë.
“Të nderuar deputetë, unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e shtetit, dhe atë sa më lartë, aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë, por jo edhe ndaj qeverisjes sonë, por edhe pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i viti 2021, që e sollën ndryshimin e madh në Kosovë”, ka deklaruar tutje ai.
Dhe, sipas tij, e gjithë kjo lidhet me prokurorin Isufaj.
“Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së Dino Asanaj, e kategorizoi në vetëvrasje, ndërsa, në rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit te informimit në kryeministri Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Bëhet fjalë për një kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka fituar në gjykatë”, ka thënë tutje Kurti.
Pas arrestimit të kryeshefit Krasniqi, reagime të ashpra ka pasur edhe nga deputetët dhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët akuzojnë organet e drejtësisë për arrestime të urdhëruara.