Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se Vjosa Osmani mbetet figura më e përshtatshme për ta udhëhequr shtetin edhe për një mandat të dytë presidencial.
Në FIVE në TV Dukagjini, Gashi theksoi se, sipas tij, aktualisht nuk ka një alternativë më të mirë për përfaqësimin e Kosovës në krye të shtetit.
“Mendoj që më të mirë se Vjosa Osmani nuk kemi. Mendoj që duhet të presim edhe këto dy ditë. Në prizmin tim mendoj që zoti Kurti është duke i shtjerrë të gjitha mjetet, duke kërkuar votën për Vjosa Osmanin”, ka thënë Gashi.
Sipas Gashit, takimet e Kurtit me liderët e partive shqiptare janë pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar shumicën e domosdoshme parlamentare.
“Dhe besoj që kjo është arsyeje pse po i takon të gjithë liderët e partive shqiptare. Mendoj që i ka takuar edhe deputetët individualisht. Kjo është çështje e vetëbesimit tim, për shkak të punëve të mira që i ka bërë Vjosa Osmani për këtë mandatin e parë. Besoj që punë edhe më të mira do të bëj në mandatin e dytë. Kjo është idea ime se nuk kemi dikë tani për tani që e përfaqëson më mirë Kosovën sesa Vjosa Osmanin. Dhe mendoj që duhet t’i kalojmë inatet personale e partiake, sepse Vjosa është mirë të jetë presidentet për shkak të shtetit të Kosovës”, ka shtuar Gashi.
Sot gjatë ditës pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Besian Mustafa ka thënë se nuk ka ende marrëveshje për ndonjë kandidat dhe se zgjedhjet e parakohshme janë “të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme”.
Megjithatë, ai theksoi se pa votat e pushtetit nuk mund të ecë procesi, duke kujtuar se “pushteti ka 66 ulëse”. Mustafa shtoi se deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare me 30 nënshkrimet e nevojshme për nominim.
Takimi i fundit ndërmjet Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa konsensus. Abdixhiku deklaroi më herët se nuk kishte emra apo propozime konkrete dhe se imponimet nuk janë zgjidhje për LDK-në, duke paralajmëruar se gara me disa kandidatë mund të çojë drejt dështimit dhe zgjedhjeve të reja.
Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në dy rundet e para, ndërsa në të tretin mjaftojnë 61 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi. Nëse dështon zgjedhja e presidentit, vendi shkon në zgjedhje.
