Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se ende ka mundësi për arritjen e një marrëveshjeje politike brenda afatit rreth 20-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke vlerësuar se në të kundërtën vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Në emisionin FIVE, Gashi tha se opozita mund ta “testojë” Lëvizjen Vetëvendosje nëse arrin të bashkohet dhe të propozojë një kandidat të përbashkët, duke përmendur edhe emrin e ish-presidentes, Vjosa Osmani.
Sipas tij, nëse nuk arrihet marrëveshje për presidentin brenda afatit, vendi do të shkojë në zgjedhje, të cilat ai i cilëson si skenar i pashmangshëm në rast dështimi të procesit.
“Nëse duan opozita me testu LVV-në e kanë lehtë edhe formulën e dijn ata. Le të bëhen bashkë le t’i bëjnë 30 nënshkrime edhe le ta propozojnë Vjosa Osmanin. Atëherë e testojnë 100 për qind a ka qenë vullneti i Kurtit për Vjosa Osmanin apo jo. Sepse kështu edhe për 20 ditë nëse nuk gjejmë zgjidhje për president atëherë do të shkojmë në zgjedhje, që zgjidhja po jetë zgjedhje. Pastaj në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme do të kemi situatën siç e kemi pasur pas shkurtit të vitit të kaluar që VV do të akuzojë partitë opozitare, me një formulë shumë të thjesht që do të thotë unë i kam pasur në koalicion me partitë me të vogla 66 deputetë, vetë 57 por me 66 nuk kam mundur ta zgjedh presidentin”, ka deklaruar ai.
Gashi ka vlerësuar se zgjedhjet e reja do t’i konvenonin pothuajse të gjitha partive politike, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, Vetëvendosje ka arritur rezultate të larta elektorale dhe mbetet me mbi 50 për qind të mbështetjes, por zgjedhjet e reja mund t’i sjellë humbje.
“Unë mendoj të gjithëve iu konvenon me shku ne zgjedhje përveç LVV-së, sepse ishte fitorja e dytë spektakolare mos me thënë historike, sepse VV-ja e vitit 2025 e ka mposht vetë VV-në e 14 shkurtit të vitit 2022. Vetëvendosja mundet me humb, për shkak se numrat i ka shumë të mirë për herë të dytë mbi 50 për qind. Nuk mundemi me ditë nëse humb pushtet, për këtë arsye duhet të bëhen marrëveshje që vendi të mos shkojë në zgjedhje”, ka deklaruar ai.