Gaza përballet me një krizë që po përkeqësohet ndërsa dimri po afron, me strehim dhe furnizime jetësore të bllokuara nga Izraeli që të hyjnë në enklavë, paralajmëroi agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë.
Në një deklaratë në platformën amerikane X, UNRWA tha se strehimi dhe materialet dimërore të destinuara për familjet e zhvendosura “po qëndrojnë në depot e UNRWA-s në Jordani dhe Egjipt, të bllokuara për të hyrë”.
“Ndërsa dimri po afron në Gaza, njerëzit kanë gjithnjë e më shumë nevojë për strehim dhe ngrohtësi”, tha agjencia, duke bërë thirrje për rikthimin e menjëhershme të qasjes së ndihmave humanitare, shkruan Anadolu, transmeton Dukagjini.
Të enjten, transmetuesi publik i Izraelit, Kan, citoi një zyrtar të lartë qeveritar të ketë thënë se “Izraeli nuk ka ndërmend të lejojë UNRWA-n të kthehet në punë në Gaza pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare” që i kërkon atij ta bëjë këtë.
Deklarata erdhi një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se palestinezët në Gaza “nuk kanë marrë furnizime të mjaftueshme” të ndihmës humanitare dhe vendosi që Izraeli duhet të lejojë dhe lehtësojë shpërndarjen e ndihmës dhe të ndalojë përdorimin e urisë si metodë lufte.
Mendimi u lëshua si një këshillë ligjore jodetyruese nga gjykata, duke nënvizuar detyrimet e Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, pas një kërkese nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 2024.
Kufizimi i Izraelit për hyrjen e mallrave në Gaza vazhdon pavarësisht marrëveshjes së fundit të armëpushimit me Hamasin të arritur në fillim të këtij muaji.
Marrëveshja bazohet në planin e paqes prej 20 pikash të presidentit të SHBA-së Donald Trump. Faza e parë e saj përfshinte lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Që nga tetori 2023, lufta gjenocidale izraelite në Gaza ka vrarë më shumë se 68.000 njerëz.