Pas ndaljes së procesit të numërimit në qendrën e numërimit në Mitrovicë, gazetari i RTV Dukagjinit, Unitet Berisha, ka raportuar nga vendi i ngjarjes.
Ai, në një lidhje direkte në Debat Plus, ka thënë se rinumërimi i votave ka ndodhur si rezultat i disa dyshimeve lidhur me numrat serikë, të cilët gjenden në disa fletëvotime dhe nuk përputhen me numrat që janë në kutitë e vendvotimeve.
Berisha ka sjellë pamje nga qendra e numërimit, ku shihet se procesi i numërimit është ndalur.

“Nuk është duke zhvilluar askush procesin e rinumërimit të votave. Brenda sallës ndodhen komisionerët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa komisionerët e partive të tjera kanë refuzuar të vazhdojnë rinumërimin e votave dhe gjenden jashtë,” ka thënë ai.
“Sipas informacioneve që kemi, këtu gjendet edhe prokurori i rastit, ndërsa në objektin e qendrës ndodhet edhe kryeprokurori i Mitrovicës,” ka shtuar më tej Berisha.

“Përveç këtyre, janë edhe anëtarët e partive që janë pjesë e Komisionit të Zgjedhjeve, siç është Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa anëtarët e tjerë nuk kam arritur t’i shoh deri më tani,” ka përfunduar ai.