Lirim Mehmetaj, gazetar, e ka përballur me fakte kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza.
Ai e ka pyetur Prebrezën pse një i punësuar në KEK po e falënderon publikisht.
“Pse ky po të falënderon publikisht që e ke shti në KEK?”, e pyeti Mehmetaj.
“Jo se e kam shti në KEK, ky është gëzuar”, u përgjigj Prebreza duke e zbutur tonin e diskutimit.
“Jemi duke folur për sigurimin fizik… kjo është prej proceseve të fundit që kanë ndodhur në KEK, ku sigurimi fizik që nga viti 2004 e deri tani ka qenë te operatorët privatë… Huazimi i punëtorëve ekziston si term dhe shthurja e KEK-ut ka ndodhur prej vitit 2004 e këndej…”, ka thënë ndër të tjera ai.
Prebreza theksoi se ai bën politikë dhe se pjesë e saj ka qenë premtimi dhe angazhimi i tij që punëtorët fizikë të kthehen nga operatorët privatë tek KEK-u.
Për këtë, Mehmetaj e akuzoi se ka shfrytëzuar pozitën e tij për të marrë vota.
“E tash e ke përdorur pozitën për të marrë vota përmes angazhimit në punësime, të cilat mund të jenë të mira”, tha Mehmetaj.
“Ku e ke kompetencën për me shti ti njërin në punë?”, e pyeti më tej Mehmetaj.