Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte (DHKL) dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ka njoftuar se sot janë zhvilluar gërmime vlerësuese në dy lokacione të ndryshme, në regjionin e Pejës dhe në atë të Prizrenit.
Sipas njoftimit, gërmimet janë iniciuar nga Sektori për Persona të Zhdukur i DHKL-së, në koordinim me familjarët e personave të zhdukur dhe qytetarët që kanë ofruar informacione. Në të dy lokacionet janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, të cilat potencialisht mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë ose personave që ende figurojnë në listën e të zhdukurve.
Komisioni bën të ditur se proceset e verifikimit dhe ekzaminimit mjekoligjor do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore dhe profesionale, me qëllim të përcaktimit të identitetit të mundshëm të viktimave dhe ndriçimit të fatit të tyre.
Pas konfirmimit dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së, familjarët do të njoftohen zyrtarisht nga Komisioni, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
Institucionet përgjegjëse theksojnë vazhdimësinë e angazhimit për gjetjen e personave të zhdukur dhe zbardhjen e rasteve të mbetura të hapura që nga lufta e fundit në Kosovë.