Gëzim Kasapolli është bërë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Lajmin e bëri të ditur kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili e cilësoi Kasapollin si një nga figurat më të njohura të diplomacisë, integrimit evropian dhe analizës politike në vend.
Abdixhiku ka thënë se Kasapolli sjell mbi dy dekada përvojë në institucione vendore dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar një profil profesional të veçantë – nga shërbimi diplomatik te proceset kyçe shtetformuese dhe politikat evropiane.
Kasapolli ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Kroaci, ku ka forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe ka promovuar interesat strategjike të vendit.
“Përpara kësaj, Gëzimi ka mbajtur pozitat më të larta në procesin e integrimit evropian: si Zëvendësministër dhe më pas si Ministër në detyrë i Integrimit Evropian. Ai ishte njeriu kyç në nisjen dhe negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), akti juridik më i rëndësishëm kontraktual mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka shkruar Abdixhiku.
Përveç angazhimeve diplomatike, Kasapolli ka shërbyer si këshilltar politik në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri.
“Në rolin e Këshilltarit Politik në Kuvendin e Kosovës dhe më herët në Qeveri, Gëzimi ka qenë lidhja institucionale me vendet anëtare të BE-së, Parlamentin Evropian, si dhe me diplomacinë ndërkombëtare gjatë fazave kyçe të shtetndërtimit, përfshirë komunikimin me të dërguarin special të OKB-së, Kai Eide, në prag të negociatave për pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar tutje kreu i LDK-së.
Abdixhiku ka theksuar se me ardhjen e Kasapollit, LDK-ja fiton një kuadër me përvojë të jashtëzakonshme, dije të thellë dhe angazhim të sinqertë për shtetin.