Gjendet i vdekur një 57-vjeçar në Prizren, kishte plagë nga arma e zjarrit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën, në fshatin Serbicë e Ulët të Prizrenit, është gjetur pa shenja jete një person.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për Dukagjinin se viktima është identifikuar si M.K., 57-vjeçar, nga ky fshat.

Sipas Policisë, rreth orës 11:35 është pranuar informata për një person të shtrirë në fushë, pa shenja jete. Njësitet policore dhe ekipi i emergjencës mjekësore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Nga shikimi fillestar, Policia ka vërejtur se viktima kishte një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit, ndërsa pranë trupit është gjetur një armë zjarri – pistoletë.

Prokurori kompetent është njoftuar për rastin, ndërsa Policia po vazhdon hetimet dhe mbledhjen e provave materiale për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Të fundit nga rubrika