Gjeneral i lartë i ushtrisë ruse, Vladimir Alexeyev, është qëlluar disa herë dhe është plagosur në Moskë.
Alexeyev u dërgua menjëherë në spital pas sulmit, i cili ndodhi në një bllok banesash në periferi veriperëndimore të kryeqytetit rus teksa asgjë nuk duhet për gjendjen e tij shëndetësore, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Alexeyev është numri dy në Drejtorinë Kryesore të Inteligjencës Ushtarake ruse (GRU) dhe bën pjesë në rangun më të lartë ushtarak që është shënjestruar në Moskë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës, gati katër vite më parë.
Ai ishte vendosur nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, pasi GRU-ja u akuzua për përfshirje në sulmin me agjent nervor në Salisbury të Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2018.
“Viktima është shtruar në një nga spitalet e qytetit,” tha Svetlana Petrenko nga Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili njoftoi se ka hapur një çështje penale për tentativë vrasjeje.
Autori i sulmit u largua nga vendngjarja, ndërsa hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po marrin në pyetje dëshmitarë.
Alexeyev ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Ukrainë, duke marrë pjesë në bisedime me Ukrainën gjatë rrethimit rus të qytetit Mariupol në vitin 2022.
Ai u dërgua gjithashtu për të negociuar me kreun e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili udhëhoqi një kryengritje të shkurtër dhe të përgjakshme në qershor të vitit 2023.
Eprori i tij në GRU, Igor Kostyukov, ka qenë përgjegjës për ekipin negociator rus në bisedimet mbi çështjet e sigurisë me SHBA-në dhe Ukrainën në Abu Dhabi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti Vladimir Putin po informohej për ngjarjen.
“Para së gjithash, i urojmë gjeneralit të mbijetojë dhe të shërohet. Shpresojmë që kjo të ndodhë,” u shpreh ai para gazetarëve.
Ende nuk dihet kush qëndron pas të shtënave të ndodhura të premten në mëngjes në një bllok banesash në autostradën Volokolamsk në Moskë, por ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Ukrainën.
Kievi nuk ka reaguar, por në të kaluarën ka pranuar përgjegjësinë për disa sulme ndaj figurave ushtarake ruse. Zyrtarë të inteligjencës ruse thanë se në fund të muajit të kaluar kishin parandaluar një atentat ndaj një ushtari rus në Shën Petersburg.
Në janar, një shtetas uzbek u dënua me burg për vrasjen e një tjetër gjenerali, Igor Kirillov, i cili u vra në vitin 2024 nga një shpërthim jashtë një blloku banesash në Moskë. Shërbimi sekret ukrainas (SBU) kishte deklaruar se ishte përgjegjës për atë sulm.
Gjenerallejtënant Kirillov drejtonte trupat ruse për Mbrojtjen Bërthamore, Biologjike dhe Kimike.
Në dhjetor të vitit 2025, një tjetër oficer i lartë i GRU-së, Gjenerallejtënant Fanil Sarvarov, u vra kur një mjet shpërthyes shpërtheu nën makinën e tij në Moskë. Ai drejtonte departamentin e trajnimit operacional të forcave të armatosura, sipas Komitetit Hetimor të Rusisë.