Gjermania bën bashkë liderët e Kosovës dhe Serbisë

Takimi në Berlin pritet të shërbejë më shumë si një platformë për të rikonfirmuar mbështetjen gjermane rreth procesit të dialogut, dhe për të shërbyer si një përkujtues i rëndësisë së zgjidhjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, si një parakusht për çfarëdo integrimi në BE

Takimi në Berlin

Berlini pritet të jetë vendtakimi i liderëve të Kosovës dhe të Serbisë.

Me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të mblidhen në Berlin ndaras me liderin gjerman.

Më pas gjatë ditës pritet një takim i përbashkët i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Me t’u kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte i ftuar të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së parë grua në SHBA, Madeleine Albright, Kurti pas më shumë se 10 muaj do të takojë sërish Vuçiqin.

Ilustrim

Sipas njohësit të politikës së jashtme, Emir Abrashi, nga takimet e kancelarit gjerman me të dyja palët pritet të përsëritet nevoja për një përfundim sa më të shpejtë të dialogut.

Ai ka thënë se ky takim do të shërbejë më shumë si një platformë për të rikonfirmuar mbështetjen gjermane rreth procesit të dialogut, dhe për të shërbyer si një përkujtues i rëndësisë së zgjidhjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, si një parakusht për çfarëdo integrimi në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, Abrashi ka theksuar se gjatë këtij takimi Gjermania pritet ta rikonfirmojë mbështetjen e saj për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian – proces ky që, sipas tij, është bllokuar si pasojë e dialogut dhe mungesës së gatishmërisë nga ana e disa vendeve anëtare të bllokut evropian.

“Scholz është i vetëdijshëm dhe është i interesuar që ta ritheksojë mbështetjen e Berlinit zyrtar për procesin e dialogut. Kurti në këto takime duhet të përçojë gatishmërinë e Kosovës për kthim në tryezën e dialogut dhe të tregojë konstruktivitet në këtë çështje”, ka thënë Abrashi për RTV Dukagjinin.

Emir Abrashi, njohës i politikës së jashtme

Sipas tij, takimin me kancelarin gjerman, Kurti duhet ta shfrytëzojë edhe për ta risjellë në vëmendje çështjen e liberalizimit të vizave dhe të kërkojë nga Gjermania shtyerjen para të këtij procesi si një shenjë e vullnetit të mirë, tanimë kur ka një krizë besimi te Bashkimi Europian rreth paanshmërisë në procesin e dialogut.

Megjithatë, ai beson se Berlini zyrtar ka më shumë gjasë për të shtyer para disa procese, duke marrë parasysh fuqinë e vetë Gjermanisë brendapërbrenda BE-së.

“Mënyra komplekse e funksionimit të BE-së si dhe mungesa e unitetit nga të gjitha vendet anëtare sa i përket çështjeve të caktuara, normalisht edhe e ka paralizuar Brukselin në ndërmjetësimin e dialogut, prandaj edhe ndërhyrja gjermane është e nevojshme për të rikthyer besimin e palëve në këtë proces”.

BE, për shkak të mënyrës komplekse të organizimit dhe funksionimit, si dhe peshës që vetë shtetet anëtare kanë në vendimmarrjen e BE-së, e ka bërë të paaftë për t’i dhënë zgjidhje procesit të dialogut, thotë Abrashi.

Tentativa ka pasur, mirëpo rezultate jo, theksoi ai.

Siç potencoi Abrashi, presioni që shpeshherë Brukseli ka bërë mbi Prishtinën dhe amnistimi i Beogradit, ka nxitur pakënaqësi dhe mosbesim te pala kosovare, por edhe ka ngritur pikëpyetje për paanshmërinë e ndërmjetësuesit.

Ai ka thënë se në këtë takim pritet të rritet presioni ndaj të dyja palëve.

Ndonëse zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë është jetike edhe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, Abrashi vlerëson se BE-ja e ka kuptuar që nuk mund të neglizhohen këto çështje.

Ndërkaq, ish-diplomati Ylber Hysa, ka thënë se ky takim i thirrur nga i pari i Gjermanisë, vjen pas situatës ku dy shtetet shihen si stagnuese të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes finale.

“Është një përpjekje për të sinjalizuar këtë moment, për të ju treguar palëve se duhet të kthehen në shtegun e bisedimeve dhe për të mos lejuar befasi, dhe që të ketë një proces politik të kontrolluar i cili nuk do të mund të keqpërdoret nga të tjerët, dhe, qartasi, kjo ka ardhur pas shumë alarmimeve të cilat tani dy palët kanë stagnuar në këtë proces”.

Ish-Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa

“Më parë mund të thuhej se problemi në dialog ishte një adresë, Beogradi, por tani perceptimi në Perëndim duket që janë dy adresa që nuk po kontribuojnë në procesin e dialogut” është shprehur Hysa, ish-ambasador në Malin e Zi.

Ndërkohë, analisti politik, Artan Muhaxhiri ka thënë se Kosova duhet të ketë qëndrime të qarta në takim, dhe se të dy shtetet kanë presion të jashtëzakonshëm për të rifilluar dialogun.

“E se çka do të diskutojë Lajçak me Kancelarin Gjerman, dhe se a është kjo formë “presion” mbi dy palët për të rifilluar dialogun, edhe pas pyetjeve të Televizonit, Bashkimi Evropian nuk ka kthyer përgjigjje,” ka thënë opinionisti Muhaxhiri.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri

Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigjie për RTV Dukagjinin ka thënë se Kurti, do të jetë i pari që takon kancelarin gjerman Scholz, ku do të flasin për raportet në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, situatën në Ukrainë dhe çështjet rajonale.

Të njëjtat tema do t’i bashkëbisedojë edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Sipas Stanos, ky takim synon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndryshe, që nga 19 korriku i vitit te kaluar nuk ka pasur takime të nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Që nga ajo kohë, bisedimet ndërmjet dy shteteve janë zhvilluar në nivel ekipesh negociatore.

Takimi në Berlin, Kurti dhe Vuçiq së bashku takojnë Miroslav Lajçakun

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika