Ministria e Jashtme e Gjermanisë u ka bërë apel qytetarëve gjermanë që ndodhen në Iran të largohen sa më shpejt nga vendi.
Një zëdhënës i ministrisë deklaroi se ende ka fluturime komerciale që mundësojnë largimin nga Irani, ndërsa ekziston edhe mundësia e daljes përmes rrugëve tokësore. Sipas listës për parandalimin e krizave të Ministrisë së Jashtme, aktualisht në Republikën Islamike ndodhen disa qindra shtetas gjermanë.
Ambasada gjermane në Teheran nuk po operon me kapacitet të plotë personeli, çka do të thotë se mund të ofrojë vetëm ndihmë konsullore të kufizuar.
Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes njoftoi se Bundeswehri ka reduktuar më tej praninë e tij në Irbil të Irakut. Në koordinim me partnerët, misioni është zvogëluar gradualisht gjatë javëve të fundit dhe aktualisht në terren ndodhet vetëm personeli “absolutisht i domosdoshëm”. Pjesa tjetër e trupave është kthyer në Gjermani përmes Jordanisë.
Në sfondin e shqetësimeve për një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit, shtetet evropiane po marrin masa shtesë sigurie për personelin e tyre ushtarak në Lindjen e Mesme.
Pas Gjermanisë, edhe Norvegjia ka kthyer në atdhe një pjesë të rreth 60 ushtarëve të saj të vendosur në rajon, duke e arsyetuar vendimin me situatën e tensionuar të sigurisë, sipas një zëdhënësi të forcave të armatosura norvegjeze.