Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje mbi 10 detonatorët që u gjetën në afërsi të fshatit Gnjezhdan, të Leposaviqit.
Sveçla ka ndarë fotografi nga vendi i ngjarjes teksa bëri me dije se detonatorët ishin të pajisur me ndezës me fitila teksa shton se Serbia përmes bandave kriminale po vazhdon të planifikojë të ndërmarrë sulme terroriste në Kosovë, njofton Dukagjini.
“Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës. Dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq. Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e insitucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve”, ka thënë Sveçla.
Tutje, Sveçla thotë se institucionet e sigurisë dhe Republika e Kosovës është e vendosur në luftën kundër bandave të tilla kriminale për çka thotë se do t’ju përgjigjen ashtu siç e meritojnë.
“Por, nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë e mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave do t’i përgjigjet ashtu siç e meritojnë. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia do të ngadhnjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Policia dhe KFOR-i gjejnë 10 detonatorë ndezës me kabllo afër një lumi në Leposaviq