Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka deklaruar në Debat Plus se do të garojë për një mandat tjetër në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, duke argumentuar se ka ende projekte dhe punë për të realizuar që do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e komunës.
Gjini ka thënë se disa nga këto punë nuk janë të realizueshme nga të tjerët dhe se qytetarët e Gjakovës, sipas matjeve të kryera, janë të gatshëm t’i besojnë një mandat tjetër.
“Disa arsye, kam ende punë për të bërë, që tjerët nuk i bëjnë. Nuk janë gati për t’i bërë ato punë. Pavarësisht që janë njerëz të mirë, korrekt. Kogja mund dhe punë lyp për të mbërrit në situatat, në të cilat punë shumë të mëdha mund të kryhen për Gjakovën. E dyta, është se sipas të gjitha matjeve qytetarët e Gjakovës janë të gatshëm të ma besojnë edhe një mandat. Nuk mundem me fol ma tepër, por po duken që janë shumë të gatshëm.
Nuk kisha garu edhe një herë nëse s’do ta dija se çka do të bëjë. Nuk jam duke garuar për ta kënaqur egon time, se nuk e kam egon sa një autobus, e kanë parë tërë njerëzit. E kam një farë modestie të çuditshme. Nuk kam nevojë për më shumë karrierë në nivelin komunal, jam më së gjati kryetar i komunës, të paktën pasluftës. Kam çka për të bërë në Gjakovë, e dua shumë Gjakovën e dua gjithë Kosovën”, ka thënë Gjini.