Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratat e fundit të disa zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë, të cilat i ka cilësuar si të pamatura dhe cenim të parimeve kushtetuese.
Në reagimin e saj thuhet se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve, por një prej shtyllave kryesore të shtetit të së drejtës.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj”, thekson Gjykata.
Tutje, theksohet se çdo përpjekje për ushtrimin e presionit mbi gjyqtarët kushtetues përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve dhe dëmton besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit e në demokracinë e vendit.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutë, në praktikën gjyqësore dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Çdo deklaratë që tenton të relativizojë ose paragjykojë vendimet e Gjykatës është e papërgjegjshme dhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit”, theksohet në reagim.
Në fund, Gjykata apelon tek të gjitha palët politike e institucionale që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklarata që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.
“Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.