Gjykata e Dhomave të Specializuara në Hagë ka vendosur të refuzojë kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirimin e përkohshëm, duke urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të tij në Qendrën e Paraburgimit.
Sipas vendimit të gjykatës, refuzimi është motivuar nga rreziku që Veseli mund të pengojë rrjedhën e procedurës gjyqësore, si dhe mund të kryejë vepra të tjera penale, veçanërisht ndaj dëshmitarëve ose personave të lidhur me rastin.
Gjykata thekson se mbyllja e rastit nga Prokuroria nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave që do të justifikonte lirimin e tij.
Po ashtu, asnjë masë alternative, përfshirë arrestin shtëpiak apo mbikëqyrjen nga Policia e Kosovës, nuk do të ishte e mjaftueshme për të reduktuar këto rreziqe.
Gjykata vlerësoi se paraburgimi i Veselit mbetet i nevojshëm dhe proporcional, pavarësisht kohëzgjatjes së tij.