Gjykata në Moskë refuzon apelin e kritikut të Kremlinit

Gjykata e qytetit të Moskës ka refuzuar apelin e dorëzuar nga avokatët e politikanit të burgosur opozitar rus, Ilya Yashin

Gjykata e qytetit të Moskës ka refuzuar apelin e dorëzuar nga avokatët e politikanit të burgosur opozitar rus, Ilya Yashin, për dënimin prej tetë vjet e gjysmë burgim.

Ai u dënua në dhjetorin e vitit të kaluar për akuzat e përhapjes së informacioneve të rreme lidhur me ushtrinë ruse dhe për pushtimin rus të Ukrainës, që ende po vazhdon.

Yashin mori pjesë në seancën e 19 prillit përmes videolidhjes nga një qendër paraburgimi në Moskë, pasi gjykata refuzoi kërkesën e tij që të ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjykatës, shkruan REL.

“E kuptoj plotësisht se mënyra e vetme për mua që të lehtësoj dënimin është pendesa, të kërkoj mëshirë, ta quaj të zezën të bardhë dhe të dëshmoj kundër vetes dhe miqve të mi. Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Yashin para gjykatës, dhe shtoi se kishte ndërgjegjen e pastër dhe se me qetësi e pranon fatin e tij.

Yashin, 39 vjeç, një kritik i zëshëm i Kremlinit është një prej pak politikanëve opozitarë që ka qëndruar në Rusi pas një vale shtypjeje kundër mbështetësve të opozitarit të burgosur, Aleksei Navalny, dhe atyre që kanë folur kundër pushtimit të Ukrainës që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

Dënimi ndaj Yashin ishte më i ashpri që është shqiptuar në rastet që kanë të bëjnë me diskreditimin e forcave ruse, pas hyrjes në fuqi të ligjeve të reja në Rusi, që ndëshkojnë ata që kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës.

Rasti penal ndaj Yashin u iniciua në korrik të vitit të kaluar. Akuza ndaj tij u bë pas publikimeve që ai bëri në YouTube lidhur me krimet që supozohet se janë kryer nga ushtria ruse në qytetin ukrainas të Buças.

Ky kritik i Kremlinit është arrestuar disa herë në të kaluarën për shkak të aktiviteteve të tij protestuese.

Yashin më herët ka thënë se autoritetet po tentonin që ta detyronin atë të largohej nga Rusia, por ai kishte refuzuar.

Pas largimit të forcave ruse nga Buça dhe Irpini, por edhe qyteza të tjera në periferi të Kievit, u zbuluan trupa të pajetë të civilëve në rrugët e Buças. Rusia mohoi se kishte kryer këto krime dhe tha se pamjet e transmetuara nga Buça ishin inskenuar nga Ukraina.

Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 400 civilë u gjetën të vrarë në Buça dhe në përgjithësi mbi 1.000 në mbarë rajonin përreth Kievit.

Shija e redaktorit

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Të fundit nga rubrika