Policia e Kosovës ka njoftuar se një grabitje me thikë ka ndodhur të dielën mbrëma në Pejë, ku dy persona të panjohur kanë grabitur para nga një lokal.
Sipas policisë, rreth orës 21:35, një grua ka raportuar se derisa ishte duke punuar në një lokal, dy persona kanë hyrë brenda dhe, nën kërcënimin e thikës, i kanë grabitur një kuti në të cilën ndodhej një shumë e konsiderueshme e parave.
Të dyshuarit janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur, ndërsa nga rasti nuk raportohet për persona të lënduar.
Hetimet janë duke u zhvilluar nga ekipet policore.
Ndërkohë, një rast tjetër grabitjeje është raportuar në Han të Elezit, ku dy persona janë arrestuar nga policia.
Sipas njoftimit, të dyshuarit dyshohet se, nën kërcënimin e thikës, u kanë grabitur dy telefona mobilë dhe 115 euro dy shtetasve të huaj.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.