Ahmet Grajqevci nga Këshilli për të Zhdukurit dhe krimet e luftës, vlerëson se arritja e marrëveshjes me Serbinë për funksionalizimin e komisionit të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë është një hap i mirë.
Megjithatë, Grajqevci në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se është skeptik në zbatimin e kësaj marrëveshjeje teksa shtoi se çështja e të zhdukurve është shndërruar në çështje politike e jo humanitare siç do të duhej të ishte, njofton Dukagjini.
“Çdo marrëveshje që arrihet është e mirë – por të zbatohet është problemi edhe më 2023 të dy komisionet kanë nënshkruar marrëveshje por nga e gjithë kjo nuk ka dalë asgjë. Edhe nga marrëveshje e djeshme jemi skeptik që mund të ketë ndonjë rezultat pasi çështjen e personave të zhdukur e kanë bërë çështje politike e jo humanitare. E dimë që Serbia asnjëherë nuk ka qenë për kompromis por çdo herë ka bërë lojëra të ndryshme edhe gjatë marrëveshjeve. Jemi skeptik se nga kjo marrëveshje do të rezultojë dicka – Serbia ka pasur kohë të mjaftueshme të manipulojë me arkiva”, u shpreh ai.