Gruaja e parë Doktor i Shkencave në Kosovë dekorohet me Medaljen e Meritave

Më 30 mars, në një ceremoni solemne, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi post mortem me Medaljen e Meritave të Veçanta në fushën e arsimit dhe shkencës, gruan e parë Doktor të Shkencave në Kosovë, Prof. Dr. Mandushe Dobruna Berisha.

Prof. Dr. Mandushe Dobruna Berisha lindi në Gjakovë më 02.04.1948. Ajo ishte një prej mësimdhënëseve të para universitare në Kosovë dhe për më shumë se 40 vjet shërbeu si profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, në fushën e kimisë.

Prof. Dr. Mandushe Berisha ishte profesoreshë ordinare në Universitetin e Prishtinës, në FSHMN, në Katedrën e Kimisë, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm akademik dhe shkencor për më shumë se katër dekada. Studimet e doktoratës i përfundoi në Universitetin e Zagrebit.

Ajo ishte autore e shumë librave nga fusha e kimisë, për arsimin fillor, të mesëm dhe universitar, si dhe botoi dhjetëra punime shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Prof. Dr. Mandushe Dobruna Berisha ndërroi jetë në vitin 2019, në moshën 77-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në arsimin dhe shkencën shqiptare.

Ky dekorim përbën një vlerësim të merituar për jetën dhe veprën e saj, si një figurë e shquar e dijes, edukimit dhe emancipimit akademik në Kosovë.