Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Përparim Gruda, ka deklaruar se amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga populli nuk mund të shqyrtohen nga komisioni.
Sipas tij, arsyeja kryesore është se për këto amendamente janë tejkaluar afatet procedurale, pasi ato janë dërguar për vlerësim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës që në vitin 2011.
“Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja është dërguar në gjykatë në vitin 2011. Pra, kemi kaluar çdo afat. Unë sot mendoj se komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, ka thënë Përparim Gruda.
Megjithatë, ai ka theksuar se, pavarësisht këtij qëndrimi, anëtarët e Komisionit për Legjislacion janë të ftuar që të zhvillojnë diskutim lidhur me këtë çështje.