Gruda shpjegon nenin 82 dhe 86 të Kushtetutës: Osmani veproi drejt

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka thënë se është Kuvendi që shkelur Kushtetutën me mosveprimin për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues, por ka theksuar se presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka vepruar në përputhje me Kushtetutën kur mori vendimin për të nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Gruda theksoi se Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedhë Presidentin brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë dhe se, si rrjedhojë, shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese.

“Kuvendi i Kosovës ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me mosveprim, duke mos zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues dhe për pasojë është shkelur Kushtetuta nga Kuvendi. Pasoja e kësaj është shpërndarja e tij dhe shpallja e zgjedhjeve të reja. Presidentja ka vepruar në përputhje me Kushtetutën duke ushtruar kompetencat e saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe besoj shpejt për caktimin e datës së zgjedhjeve. Kjo normë nuk mund të interpretohet që Kuvendi të shmangë shpërndarjen e tij duke mos filluar procedurën ose duke mos e konsumuar atë. Një interpretim i tillë do ta bënte normën kushtetuese të pavlefshme dhe do të krijonte mundësi për bllokada të përhershme institucionale”, tha Gruda në konferencën për media.

Gruda ka sqaruar edhe konfuzionet e krijuara në lidhje me interpretimin e dy afateve kushtetuese, pra nenin 82 dhe 86 i Kushtetutës së Kosovës.

“Neni 86, paragrafi 2, përcakton se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Kjo normë ekziston në shumë kushtetuta evropiane dhe ka një qëllim thelbësor: të garantojë kontinuitetin e institucionit të kreut të shtetit, i cili në të gjitha kushtetutat konsiderohet si institucion kyç për stabilitetin e institucioneve.  Ndërsa neni 82, paragrafi 1, përcakton se Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës nuk zgjidhet presidenti i Kosovës. Pra afati 60-ditor në këtë nen tregon sa mund të zgjasë procedura e zgjedhjes së presidentit, por ky afat në asnjë rast nuk anulon dhe nuk e konsumon afatin 30-ditor të përcaktuar në nenin 86. Dhe kjo është kështu për tri arsye themelore. Në çdo tekst të Kushtetutës ku ekzistojnë dy afate, ato janë vendosur me një qëllim të ndryshëm juridik. Në këtë rast, afati 60-ditor përcakton sa mund të zgjasë procedura e zgjedhjes së presidentit pasi ajo të ketë filluar. Për shembull, procesi i zgjedhjes së presidentit nuk mund të fillojë një vit para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, sepse atëherë shkelet logjika e afatit 60-ditor që kufizon kohëzgjatjen e procedurës. Së dyti, afati 60-ditor shërben kryesisht për situata kur presidenca apo posti i presidentit mbetet vakant, në situata kur ai jep dorëheqje, shkarkohet ose vdes. Në këto raste nuk mund të zbatohet afati prej 30 ditësh i nenit 86, sepse ai lidhet me përfundimin e rregullt të mandatit të presidentit aktual. Kur posti është vakant, ky afat bëhet i pazbatueshëm dhe për këtë arsye Kushtetuta e ka parashikuar një afat tjetër që është 60 ditë. Së treti, një afat kushtetues nuk mund ta bëjë të pavlefshëm një afat tjetër kushtetues. Në këtë rast, afati 60-ditor nuk mund ta neutralizojë apo ta anulojë afatin 30-ditor të përcaktuar në nenin 86”, ka shpjeguar Gruda.

Ai tha edhe se është tnetuar që ta bihet rendi kushtetues në funksion të një partie politike.

“Është standard i njohur evropian kushtetues, i thënë disa herë në opinionet e Komisionit të Venecias, se shkeljet kushtetuese mund të ndodhin përmes akteve dhe veprimeve të institucioneve, por edhe përmes mosveprimeve. Mosveprimet kushtetuese janë një formë e shkeljes kushtetuese që janë konstatuar disa herë në opinionet dhe studimet e Komisionit të Venecias, dhe ky është rasti kur Kuvendi i Kosovës ka vepruar duke mos e zgjedhur presidentin. Presidentja e Kosovës ka bërë veprimin e duhur në mbrojtje të Kushtetutës. Nëse nuk do ta shpërndante Kuvendin, do të bënte shkelje të Kushtetutës përmes mosveprimit. Prandaj, mendojmë që tendenca është e qartë që të përdoren normat kushtetuese që janë përdorur gjatë vitit të kaluar dhe mandatit katërvjeçar me një interpretim që është obstruktiv, me qëllim që ta bëjë normën të pazbatueshme dhe ta vërë krejt rendin kushtetues në funksion të një partie politike”, tha Gruda./EO

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika