Hajdari: Qeveria ka ndërhyrë efektivisht për çmimet e derivateve të naftës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se qeveria ka ndërhyrë aty ku ka qenë e nevojshme për stabilizimin e çmimeve të derivateve të naftës, duke kritikuar gjithashtu propozimet e opozitës për uljen e përkohshme të TVSH-së dhe akcizës.

Hajdari tha se masat e propozuara nga opozita janë të paplanifikuara dhe nuk garantojnë ulje reale të çmimeve.

“Po propozohet pra ulja e përkohshme e TVSH-së ose akcizës, subvencionimi i sektorëve më të ndjeshëm përfshirë bujqësinë dhe prodhimin, si dhe mbështetje për transportin publik dhe më shumë, por pa asnjë plan se si do të kompensohen ato. Le ta themi qartë: kjo mund të tingëllojë mirë për ju në aspektin partiak, ju deputetë të opozitës, por është ekonomikisht e papërgjegjshme dhe politikisht populiste. Këto të hyra publike nuk janë abstrakte. Këto të hyra nga buxheti i shtetit janë paga për mësuesit, për mjekët, investime në infrastrukturë, mbështetje për familjet dhe për bizneset. Pra, pyetja është shumë e thjeshtë: Për rritjen e çmimeve të naftës, i bartur nga inflacioni për shkak të krizave gjeopolitike, a jemi gati t’u themi qytetarëve se do të ulet mbështetja për familjet dhe bizneset dhe do të shkurtohen shërbimet publike për një masë që nuk garanton as ulje reale të çmimeve të produkteve të naftës?

Sepse le ta sqarojmë edhe këtë: Ne si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, me qeverisjen tonë, kemi ndërhyrë aty ku duhet. Kemi formalizuar tregun e naftës, kemi eliminuar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto janë masa që japin efekt real dhe afatgjatë“, tha Hajdari.

Të fundit nga rubrika