Nën moton kuptimplotë “Inteligjenca buron nga libri”, sot është hapur edicioni i sivjetshëm i Panairit të Librit “Prishtina 2025”.
Ky aktivitet kulturor që tashmë është bërë traditë, mbledh botues, autorë, lexues dhe dashamirë të librit nga mbarë vendi dhe më gjerë.
Me këtë rast, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, përmes një postimi në Facebook theksoi rëndësinë e librit në një kohë të dominuar nga teknologjia dhe inteligjenca artificiale.
“Në një epokë ku ‘inteligjenca’ është bërë sinonim i algoritmeve, i shpejtësisë dhe i sistemeve të ndërlikuara artificiale, sot na kujtohet se inteligjenca e vërtetë ka lindur dhe rrjedh nga libri”, ka shkruar Halimi.
Ajo e cilësoi panairin si një rikthim tek burimi më njerëzor i dijes dhe urtësisë — libri — duke shtuar se ky është një moment për reflektim, frymëzim dhe nxitje të mendimit kritik.
“Le ta shfrytëzojmë këtë panair për të gjetur libra që na bëjnë të mendojmë, që na frymëzojnë, që na bëjnë të guxojmë… Është libri ai që mbetet gjithmonë strehë e mendimit kritik dhe e ndjeshmërisë sonë njerëzore,” thekson ajo.
Panairi pritet të zgjasë për disa ditë dhe do të ofrojë një gamë të gjerë librash, takime me autorë, promovime titujsh të rinj dhe aktivitete për lexuesit e të gjitha moshave.