Në seancën solemne të Kuvendi i Kosovës në nderim të Epopesë së UÇK-së, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kujtoi rënien heroike të Familjes Jashari në Prekaz dhe rëndësinë e ngjarjeve të marsit 1998 për historinë e Kosovës.
Hamza i përshkroi 5,6 dhe 7 marsin e vitit 1998, si një mësim i përhershëm mbi kuptimin e lirisë, njofton Dukagjini.
“Sot jemi mbledh në këtë sallë jo vetëm për të kujtuar një ngjarje historike por për të nderuar një moment që i dha kuptim historisë tonë, Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënien heroike të Familjes Jashari në Prekaz. Kanë kaluar 28 vjet nga ato tri ditë të marsit që ndryshuan përgjithmonë fatin e Kosovës. Më 5,6 dhe 7 mars 1998 një familje shqiptare vendosi të qëndrojë në pragun e shtëpisë së vet përballë një ushtrie të tërë pushtuese. Por, ato tri ditë nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë tonë ato janë një mësim i përhershëm për kuptimin e lirisë sepse ka momente kur historia nuk shkruhet nga numrat, nga fuqia ushtarake apo nga kalkulimet politike – historia shkruhet nga vendime morale të njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen dhe në ato tri ditë marsi në Prekaz historia e Kosovës mori pikërisht këtë formë. Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, ai u bë altar i lirisë ndërsa Familja Jashari u bë simbol i ndërgjegjes dhe qëndresës së një populli të terë”, deklaroi Hamza.