Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, me qëllim tejkalimin e bllokadës institucionale dhe zhbllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur për Gazeta Express zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.
“Po, kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja”, ka deklaruar Xhemajli.
Më herët, edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Presidentes. Nga Zyra e Presidentes kanë bërë të ditur se që nga data 15 maj do të nisë një seri konsultimesh me partitë politike, për të gjetur rrugëdalje nga kriza e konstituimit të Kuvendit. Ftesat për takimet e para tashmë janë dërguar dhe pritet konfirmimi i pjesëmarrjes nga të gjitha subjektet. / GazetaExpress